Rizgjedhja e Vjosa Osmanit: Testi i koherencës politike dhe interesit shtetëror

Shkruan: Albatros Rexhaj

Nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos të heqë dorë nga kandidatura e Vjosa Osmani, dyert e selive të Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të mbyllen atë natë. Do të hapen shishet. Do të shpërndahen buzëqeshje të përmbajtura. Do të artikulohet fjala “parim”, por do të nënkuptohet fjala “fitore”.

Sepse një çarje mes Albin Kurti dhe Osmanit nuk do të lexohet si debat institucional. Do të lexohet si konfirmim i një narrative të kahershme: se Kurti nuk është njeri i fjalës, se ai konsumon aleatët, se djeg partnerët sapo ata fitojnë peshë. Pak rëndësi ka nëse kjo është e vërtetë apo jo. Në politikë, perceptimi është fakt operativ. Dhe ky perceptim do të përdoret pa mëshirë.

PDK do të thotë: “Ju thamë.”

LDK do të thotë: “Ne e dinim.”

Dhe një pjesë e elektoratit që ka kaluar nga LDK tek LVV në gjashtë vitet e fundit do të fillojë të pyesë veten nëse stabiliteti emocional i kampit reformist është i qëndrueshëm.

LDK ka arsye të ftohta për ta dëshiruar këtë çarje. Një ndarje Kurti–Osmani krijon hapësirë rikthimi. Një votues i zhgënjyer kërkon shtëpi. Dhe LDK do të ofrojë shtëpinë e vjetër, me premtimin e maturisë dhe ekuilibrit.

Por politika serioze nuk bëhet për t’i kënaqur kundërshtarët. Bëhet për të ruajtur interesin strategjik.

Sot, Osmani është e vetmja figurë politike në Kosovë që ka arritur të ndërtojë një kredibilitet real dhe funksional në Uashington. Jo simbolik. Jo ceremonial. Por funksional. Në një kohë kur lobimi serb në kryeqytetin amerikan është i organizuar, i financuar dhe i pamëshirshëm, heqja dorë nga figura që e neutralizon atë lobim nuk është akt taktik. Është luks i rrezikshëm.

Është paradoksale që pikërisht PDK, LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – parti që prej vitesh e kanë artikuluar afërsinë me Uashingtonin si kapital politik – të mos e mbështesin rizgjedhjen e një presidenteje që realisht ka akses dhe besueshmëri atje. Nëse kriteri është interesi i shtetit, atëherë mbështetja duhet të jetë e natyrshme. Nëse kriteri është kalkulimi partiak, atëherë do të dëgjojmë shumë fjalë për “balancë institucionale”.

Sa për kërcënimet me zgjedhje të reja – le të jemi seriozë. Sondazhet e nxjerrin LDK-në nën 10%. PDK ka një elektorat stabil, por jo në rritje. AAK mbetet faktor i kufizuar. Flluskat e sapunit janë të bukura derisa shpërthejnë. Pastaj mbetet ajri.

Deputetët duhet ta lexojnë qartë edhe standardin kushtetues. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar jo vetëm kuorumin minimal prej 80 deputetësh që marrin pjesë në votim, por edhe detyrimin për të votuar – pro, kundër ose abstenim. Bojkoti nuk është akt heroik. Është shmangie përgjegjësie.

Nëse dikush mendon se rruga për të bllokuar rizgjedhjen e Osmanit është të mos qëndrojë në sallë, atëherë le ta bëjmë betejën e hapur. Le të shkojmë në zgjedhje. Le të përballemi me një listë ku Kurti është numri një dhe Osmani numri dy. Dhe le të shohim si 61% shndërrohet në realitet të ri elektoral.