Ish-kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë financiare të mediave në Kosovë, duke theksuar se situata është veçanërisht e vështirë për mediat lokale.
Në “Përballje Podcast”, Mehmeti tha se shumë radio dhe televizione lokale operojnë me buxhete tepër modeste, të pamjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm.
“Kemi një situatë jo shumë të mirë të qëndrueshmërisë së mediave në vendin tonë. Mediat lokale, sidomos radio dhe televizionet lokale, kanë një buxhet tepër modest, me të cilin funksionojnë vetëm aty për aty”, tha ai.
Sipas tij, kjo situatë shpesh i detyron mediat lokale të hyjnë në kontrata me komuna për monitorimin dhe përcjelljen e aktiviteteve protokollare.
“Shpesh detyrohen të hyjnë në kontrata me komunat për të përcjellë aktivitetet e tyre protokollare, si një lloj zëdhënieje jozyrtare, gjë që mund të ndikojë në pavarësinë editoriale”, deklaron Mehmeti.
Mehmeti bëri dallimin mes mediave lokale dhe një kategorie tjetër biznesesh mediale që, sipas tij, kanë avantazh financiar – operatorët kabllorë apo operatorët e shpërndarjes.
“Këta operatorë marrin të hyra nga klientët, sepse ofrojnë pako televizive, dhe disa prej tyre kanë arritur të krijojnë edhe televizione të vetat.”
Ai theksoi se kjo situatë ka krijuar rrezik për koncentrim medial, pasi operatorët me fuqi financiare mund të blinin televizione të tjera dhe të dominonin tregun.
Për të parandaluar këtë, Mehmeti tha se gjatë mandatit të tij në KPM është hartuar një rregullore që ndalon koncentrimin medial.
“Kemi ndaluar koncentrimin apo monopolin medial. Operatorët e shpërndarjes mund të kenë vetëm një televizion gjeneralistik.”
Sipas tij, ky kufizim është vendosur për të shmangur përqendrimin e tregut në duart e një grupi të caktuar biznesesh.
“E kemi thënë që në maksimum mund të kenë vetëm një licencë për një televizion gjeneralistik, në mënyrë që të mos koncentrohet tregu medial në duart e një grupi të caktuar njerëzish.”
Mehmeti theksoi se qëndrueshmëria financiare dhe pluralizmi medial janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me pavarësinë editoriale dhe me funksionimin e shëndetshëm të demokracisë në vend.
