Marco Rubio mbajti një takim të rrallë informues për ligjvënësit kryesorë amerikanë mbi Iranin, vetëm pak orë para se Donald Trump të përdorte fjalimin e tij për të thënë se Teheranit nuk do t’i lejohej kurrë të zhvillonte armë bërthamore.
Mes vendosjes më të madhe të avionëve dhe anijeve luftarake në Lindjen e Mesme që nga viti 2003, kur filloi lufta në Irak, Trump tha se donte ta zgjidhte konfrontimin me Iranin përmes mjeteve diplomatike, ndërsa pretendoi se Teherani po kërkonte të zhvillonte raketa balistike që mund të arrinin SHBA-në, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Ata tashmë kanë zhvilluar raketa që mund të kërcënojnë Evropën dhe bazat tona jashtë shtetit. Dhe po punojnë për të ndërtuar raketa që së shpejti do të arrijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës“, tha ai.
“Ne jemi në negociata me ta. Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Por ne nuk i kemi dëgjuar ato fjalë sekrete: ne nuk do të kemi kurrë një armë bërthamore“, vazhdoi ai.
Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, mbajti një informim të klasifikuar për të ashtuquajturën “bandë prej tetë“, e cila përfshin ligjvënës të lartë nga të dyja partitë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, si dhe kryetarët dhe anëtarët e lartë të komiteteve të inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Grupi i zgjedhur informohet nga Shtëpia e Bardhë mbi çështjet e inteligjencës së klasifikuar, të cilat mund të përfshijnë përgatitjet për veprime të rëndësishme ushtarake.
Rubio e informoi publikisht grupin për herë të fundit më 5 janar, një ditë pasi SHBA-të nisën operacionin e tyre të suksesshëm për të kapur Nicolás Maduro të Venezuelës.
Zhvillimet erdhën pasi një aeroplanmbajtëse e dytë amerikane, USS Gerald Ford anija më e madhe e tillë në botë – mbërriti në rajon.
Analistët kanë thënë se SHBA-të tani janë në pozicion për të nisur një sulm kundër Iranit nëse Donald Trump urdhëron një të tillë.Detajet e raportit u klasifikuan dhe nuk u bënë menjëherë publike. Duke dalë nga informimi, udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, tha: “Kjo është serioze dhe administrata duhet t’ia paraqesë argumentet e saj popullit amerikan”.
“Jam shumë i shqetësuar“, tha Jim Himes, demokrati i lartë në komitetin e inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve.
“Luftërat në Lindjen e Mesme nuk shkojnë mirë për presidentët, për vendin, dhe nuk kemi dëgjuar të artikulohet asnjë arsye e mirë pse tani është momenti për të nisur një luftë tjetër në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.
