Në Gjenevë mbyllet raundi i tretë i negociatave Rusi–Ukrainë të ndërmjetësuara nga ShBA-ja

Raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet të dërguarve nga Moska dhe Kievi, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja ka përfunduar të mërkurën, pasi që zgjati afër dy orë, ka raportuar AP.

Zyrtarët u takuan për të dytën ditë radhazi duke u përpjekur t’i tejkalojnë dallimet politike dhe ushtarake, për arritjen e një paqeje pas afër katër vitesh luftë që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të vendit fqinjë.

“Konsultimet po zhvillohen në grupe pune sipas fushave brenda pistës politike dhe ushtarake”, shkroi në anglisht në X kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov. “Po punojmë për sqarimin e parametrave dhe mekanizmave të vendimeve të diskutuara dje.”

Negociatat në Zvicër janë raundi i tretë i bisedimeve të drejtpërdrejta të organizuara nga SHBA-ja, pas takimeve në fillim të këtij viti në Abu Dhabi që zyrtarët i përshkruan si konstruktive, por që nuk dhanë asnjë përparim.

I dërguari i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, tha në mediat sociale se shtytja e Uashingtonit për paqe në Ukrainë gjatë vitit të kaluar “ka sjellë përparim domethënës”. Ai nuk dha hollësira dhe luftimet kanë vazhduar.