A keni xhirollogari bankare? Kujdes, ky është njoftimi shumë i rëndësishëm

Një numër qytetarësh ka ngritur shqetësimin për keqpërdorim të mjeteve që i kanë në llogari bankare.

Sipas tyre, po realizohen blerje online, me paratë që i kanë në bankë. Klientë të bankës TEB dhe Raiffaisen kanë treguar eksperiencat e tyre, e këto institucione bankare nuk kanë dhënë informacionet që u janë kërkuar. Ndërkaq, pas denoncimit nga qytetarët, është aktivizuar BQK-ja dhe Policia

Krenare Imeraj është një nga qytetarët që së fundi i është keqpërdorur llogaria bankare. Në të janë bërë transaksione të dyshimta.

Ajo tregon se tri javë më parë është njoftuar nga banka TEB se përmes llogarisë së saj janë realizuar shtatë transaksione online me vlerë monetare rreth 30 euro.

“TEB-i po më dërgon mesazhe që kanë ndodhur disa, një apo më shumë transaksione online dhe se janë të dyshimta. Nëse nuk jam unë personi që jam duke i zhvillu transaksionet, atëherë me e njoftu dhe telefonu bankën, dhe ashtu edhe bëra”, ka thënë Imeraj.

Ajo tregon se i është kërkuar nga banka mbyllja e kartelës bankare dhe se i është thënë se rasti do të shqyrtohet brenda 45 ditëve.

“Pagesat online ishin bërë përmes Facebook-ut, gjë që unë nuk i kam dhënë të dhënat e mia personale në Facebook qysh është llogaria bankare dhe nuk kam bërë asnjëherë blerje në Facebook. Për atë arsye, banka e ka parë si të dyshimtë dhe më ka kontaktuar”, ka thënë Imeraj.

Kjo qytetare nuk është viktima e vetme.

Në grupin “Network Prishtina” në Facebook, janë paraqitur rreth 150 klientë që kanë llogari të hapur në TEB, e që janë përballur së fundmi me të njëjtin problem.

“Dje në E-banking e pashë që disa transaksione janë bërë pa dijeninë time në bankën TEB me description ‘E-commerce Facebk’, e kam bllokuar kartelën dhe rastin e kam lajmëruar në Polici. Në bankë më thanë se nuk jam i vetmi rast në këto ditë të fundit. Desha me ju lajmëru me pasë kujdes dhe me i kontrollu vazhdimisht transaksionet”, ka shkruar qytetari që ka bërë postim në këtë grup.

Lexo edhe: “Ma mirë me vdekë edhe unë”, i riu trishtohet pasi ia mori jetën 19-vjeçarit në aksident në Prishtinë
Transaksione kanë ndodhur edhe në të tjera banka.

“Kjo më ka ndodhur edhe mua në Raiffasen Bank, i njëjti përshkrim më është shfaqur në muajin shtator. Dmth nuk qenka vetëm TEB-i, por edhe në banka të tjera. Shumë rrezik”, ka shkruar një qytetar tjetër.

KOHA ka kontaktuar të dy institucionet bankare, e të cilat kanë konfirmuar se kanë pranuar pyetjet, por nuk kanë dhënë informacione mbi transaksionet e këtilla dhe as për numrin e klientëve që janë ankuar, dhe nuk kanë treguar as nëse do të rimbursohen në shumën që u është marrë.

TEB ditë më parë ka bërë një reagim publik, nëpërmjet të cilin ka theksuar se sigurohen klientët se nuk ka pasur sulm kibernetik ndaj sistemeve të saj dhe ka lutur ata që shqetësimet t’i drejtojnë përmes kanaleve të komunikimit për kujdes ndaj klientëve.

“Bazuar në shqetësimet që janë ngritur së fundi në platformat e rrjeteve sociale, TEB SH.A. ju siguron se nuk ka pasur sulm kibernetik ndaj sistemeve të saj. TEB Sh.A. si lider në tregun e kartelave të pagesave, vazhdon të aplikojë standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë së informacionit, që t’ua mundësojë klientëve të saj të bëjnë pagesa përmes kartelave në mënyrën më efikase dhe më të sigurt. Duke qenë pjesë e rrjetit botëror bankar BNP Paribas, TEB Sh.A. në themel të funksionimit të saj ka sigurimin e shërbimeve për klientë në kohët e sotme digjitale”, ka shkruar TEB në një postim publik.

Edhe në Bankën Qendrore të Kosovës kanë thënë se janë në dijeni të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët.

“Deri më tani, BQK-ja ka pranuar 7 ankesa të ndërlidhura me çështjen në fjalë dhe secila ankesë e klientëve trajtohet dhe adresohet nga BQK-ja, bazuar në faktet e identifikuara. Konform mandatit që ka BQK-ja, kontakton, ekzaminon institucionet, si dhe i adreson gjetjet, në pajtim me Ligjin për Banka, IMF-të dhe IFJB-të”, thuhet në një përgjigje të BQK-së.

E në Policinë e Kosovës kanë konfirmuar se janë në dijeni për transaksionet e dyshimta dhe kanë thënë se janë duke i trajtuar denoncimet për to.