Ambasada britanike ia anulon KQZ-së një ceremoni të përbashkët: A ndodhi kjo shkaku i mosmiratimit të rezultateve të Listës Serbe?

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ia ka shtyrë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ceremoninë e festimit të bashkëpunimit kibernetik UK–CEC. Ndonëse kjo ceremoni ishte paraparë të mbahet më 10 shkurt, gazeta Nacionale ka mësuar se festa është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Nuk dihen ende arsyet e anulimit të kësaj ceremonie, e cila do të shënonte bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ambasada britanike nuk ka dhënë shumë detaje për anulimin e kësaj feste të përbashkët.

Na vjen keq t’ju njoftojmë se pritja për të festuar bashkëpunimin kibernetik UK–CEC, e planifikuar fillimisht për 10 shkurt, është shtyrë. Ne e vlerësojmë shumë partneritetin tonë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur punën e tij të rëndësishme në sigurimin që proceset demokratike të zhvillohen në përputhje me ligjin”, është thënë në njoftimin e ambasadës britanike.

Shtyrja e kësaj ceremonia për një datë të pacaktuar ka ardhur pas veprimit të KQZ-së për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe.

Ky veprim i KQZ-së ka nxitur reagime të ashpra të SHBA-së dhe BE-së.

Në reagimet e tyre, aleatët e Kosovës e kanë dënuar ashpër veprimin e KQZ-së.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka kritikuar veprimin e KQZ-së.

Sipas ambasadës amerikane, veprime të tilla e gërryejnë partneritetin e Kosovës me SHBA-të.

Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka vlerësuar ambasada e ShBA-së për Radion Evropa e Lirë.

Sipas ambasadës, ky veprim është në kundërshtim me rregullat demokratike. “Në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”, ka theksuar ambasada e ShBA-së.

Me këtë veprim i shqetësuar është shprehur edhe Bashkimi Evropian.

Një zëdhënës i BE-së ka bërë me dije se puna e KQZ-së nuk duhet politizuar.

BE shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e rezultatit final për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për “Kohen”.

Ai iu ka bërë thirrje palëve që të punojnë së bashku.

BE-ja përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit vëzhgues të zgjedhjeve dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhor të shtunën nuk e ka miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe.

Në këtë mbledhje KQZ-ja kishte shpallur zyrtarisht vetëm rezultatet e partive tjera, por jo edhe të Listës Serbe.

Pro miratimit të rezultatit të Listës Serbe kishin votuar vetëm dy anëtar të KQZ-së dhe kryetari Kreshnik Radoniqi. Kurse, anëtarët tjerë kishin abstenuar. Pas vendimit të KQZ-së, Lista Serbe është ankuar në PZAP.