Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Enis Gashi, në një konferencë për media, ka dhënë detaje të aksionit të kësaj të mërkure, në lidhje me manipulimin me vota në Komunën e Malishevës, specifikisht, manipulimin që dyshohet se u krye gjatë numërimit të votave për kandidat për deputetë.
Në një konferencë për media, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, dhe Nënkoloneli Bekim Avdija, shpalosën detajet e operacionit që ka çuar në intervistimin e dhjetëra personave zyrtarë të angazhuar në procesin zgjedhor.
“Pas përfundimit të rinumërimit të votave në komunën e Malishevës, Prokuroria në Gjakovë ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime konkrete në lidhje me grumbullimin e provave dhe fillimin e procedurës.” – tha ai.
Ai bëri të ditur se nga gjithsej 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë. Ai shtoi se po bëhet vlerësimi i situatës edhe për komisionerët e tjerë për të parë nëse do të ketë masa eventuale ndaj tyre.
“Pasi që kemi vepruar përmes policisë, me autorizim të Prokurorisë, sikurse e keni vërejtur edhe sot, nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë. 15 kryesues aktualisht janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor Prokuroria do të vendosë në lidhje me masën e sigurisë. Po ashtu, për komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër në lidhje me ndonjë masë eventuale. Në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të Departamentit për Krime të Rënda. Hetimi do të vazhdojë edhe më tutje edhe për kryesuesit dhe komisionerët e tjerë, të cilët sot, për arsye të ndryshme, ose kanë qenë jashtë vendit, ose nuk kanë arritur të jenë prezentë në drejtorinë e policisë.” – bëri të ditur gashi.
Nënkoloneli Bekim Avdija, nga Sektori i Hetimeve Rajonale pranë Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, dha detaje teknike rreth operacionit policor. Ai konfirmoi se numri total i personave të implikuar në këtë fazë të hetimeve është 68.
Sipas Nënkolonelit Avdija, personat që nuk janë intervistuar ende ndodhen jashtë vendit ose nuk kanë qenë të qasshëm për momentin, por Policia beson se “shumë shpejt do të intervistohen sipas procedurave ligjore.”
“Sa i përket operacionit policor të sotëm, Sektori i Hetimit të Hetimeve Rajonale pranë Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kemi realizuar fillimin e hetimeve në lidhje me dyshimet e shkeljes ligjore që është bërë. Në bazë të dëshmive që janë nxjerrë, kemi parë që janë për momentin të implikuar 68 persona – kryesues dhe komisionerë, nga të cilët sot janë ftuar dhe intervistuar në shifrat që i dha kryeprokurori – 43 komisionerë dhe 15 kryesues, prej të cilëve na kanë mbetur edhe 3 kryesues dhe 7 komisionerë, dhe për të cilët besojmë se shumë shpejt do të intervistohen sipas procedurave.” – tha Avdija.
