Sot është dhënë starti i provave të shfaqjes teatrore “9 Shpirtra”, vepër e autorit Tayfun Türkili, nën regjinë e Ali Volkan Çetinkaya.
Bëhet fjalë për një komedi të zezë me humor absurd, që ndërton një rrëfim të veçantë.
Ngjarja ndjek një burrë i cili kërkon të shkëputet nga martesa, por përfundon duke ndërmarrë nëntë përpjekje qesharake për të vrarë gruan e tij, përpjekje që dështojnë njëra pas tjetrës. Përmes kësaj situate paradoksale, shfaqja eksploron temat e martesës, tradhtisë, frikës dhe absurditetit njerëzor.
Në skenë do të shfaqen aktorët Gresë Gashi, Mevlan Saraçi, Teuta Krasniqi, Jajush Ramadani, Milot Salihu dhe Dashuri Rexhepi.
Pamja skenike dhe kostumografia mbajnë firmën e Berna Yavuz, duke kontribuar në krijimin e një atmosfere që përputhet me frymën e veprës.
“9 Shpirtra” realizohet si bashkëprodhim i Teatrit “Adriana”, Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove të Vendeve Ballkanike, Bursa, Turqi, si dhe Gresë Gashit në rolin e koproducentes.
Shfaqja pritet të vijë së shpejti para publikut.
