Kosova s’përfiton asgjë nga 171 milionët e BE-së për zhvillim të infrastrukturës dhe sektorit privat në BP

Komisioni Evropian ka njoftuar sot miratimin e pakos së re mbështetëse prej 171 milionë eurosh për të nxitur zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e sektorit privat në vendet partnere të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa fondet janë shpërndarë për projekte specifike në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, Kosova nuk figuron në listën e projekteve të miratuara.

Paketa e re përfshin kontribute investimi nga burime të ndryshme të financimit të BE-së, si Instrumenti për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA III) dhe Lehtësia e Reformës dhe Rritjes (RGF).

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, kishte sqaruar se Kosova mbetet e bllokuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore. Konkretisht, mungesa e ratifikimit të Marrëveshjes së Kredisë dhe Lehtësisë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje e bën të pamundur ekzekutimin e pagesave.