Vjedhja e votave brenda partive, Prokuroria zgjeron hetimet

Hajni votash brendapartiake me symbllje mes komisionerësh.

Ishte kjo çka plagoi rëndë procesin zgjedhor të 28 dhjetorit, ku ndonëse vota për subjekte nuk u prekën, u falsifikuan ato përbrenda mes kandidatësh.

Njëri qëndori mbi të gjithë të tjerët. Fetah Paçarizi i PDK-së doli të ketë shënuar më shumë se dyfishin e votave që realisht i kishte marrë: 6 mijë e 700 vota i janë hequr ende pa u kryer rinumërimi.

Që të gjitha partitë, Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë komisionerë të tyre në qeli.

30 ditë paraburgim po i mbajnë rreth 20 prej tyre deri në një epilog që pritet të jepet nga prokuroria.

Prokuroria e Kosovës veçse ka autorizuar zgjerimin e hetimeve nëpër komuna anembanë Kosovës.

Kjo për t’u aktivizuar kur rinumërimi të kryhet.

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se të gjitha prokuroritë në Kosovë kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informatave lidhur me persona që dyshohen se kanë manipuluar ose falsifikuar procesin e numërimit të votave.

Sipas saj, secila prokurori është në pritje të rezultateve përfundimtare zgjedhore për të vazhduar me hetime të mëtejshme penale.

Pula theksoi se për veprën penale të falsifikimit parashihet dënim deri në pesë vjet burg, duke qenë se bëhet fjalë për persona zyrtarë të emëruar.

“Hetimet do ta tregojnë se si është bërë ky falsifikim i rezultateve. Asnjë nga ta nuk do të amnistohet dhe secili që e ka shkelur vullnetin e lirë të votuesit do të ballafaqohet me forcën e ligjit”, deklaroi ajo.

Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi se 77% të vendovotimeve janë rinumëruar ndërsa pritet që deri në fund të muajit të kryhe i tërë rinumërimi.

Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së tha për Ekonomia Online se që nga 13 janari në QNR po zbatohen dy vendime të KQZ-së për rinumërimin e gjithsej 2 557 vendvotimeve, ku është zhvilluar procesi zgjedhor më 28 dhjetor.

“Fillimisht procesi i rinumërimit, i cili ka filluar me datë 13 janar, është duke vazhduar sipas planifikimeve të KQZ-së. Në përgjithësi në QNR janë 76 ekipe numërimi të cilat angazhohen gjatë gjithë ditës. Sipas planifikimeve dhe dinamikës që është duke u zhvilluar këtu në QNR, atëherë KQZ planifikon që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, që i bie ditë e shtunë”, tha ai.

Ai sqaroi se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të shkurtit, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa para certifikimit të zgjedhjeve.

“Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të muajit shkurt, KQZ planifikon që të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme. Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme subjektet politike

(…) dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtij rezultati fillimisht në PZAP dhe pastaj palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme nëse janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së. Pra, KQZ duhet të presë të kalojnë këto afate kohore para se të bëjë procedime të tjera. Koha se sa duhet që KQZ ta certifikojë rezultatin përfundimtar pasi të bëjë shpalljen e këtij rezultati varet krejtësisht nga ankesat të cilat mund të paraqiten ndaj rezultatit përfundimtar”, tha ai.