Kosova ‘zgjohet’ me reduktime

Edhe sot, Kosova është zgjuar nën zhurmën e gjeneratorëve.

Për të dytën herë brenda pak ditëve, sistemi energjetik në Kosovë, është në kaos. KOSTT ka bërë të ditur se KESCO sërish ka devijuar ndërmjet enregjisë dhe kërkesës reale.

Si rezultat, ata e vlerësojnë situatën si të papranueshme.

“KOSTT po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale. Sot, më 20.01.2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MW orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik. KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes”, ka shkruar KOSTT në reagim.

Në anën tjetër, nga KESCO nuk ka asnjë reagim.

Siç nuk ka as nga qeveria as nga askush, për këtë situatë të tmerrshme në temperatura minus.

Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda,ka thënë se KOSTT duhet ta tregojë orarin e reduktimeve.

“KOSTT lirisht mundet me i thjeshtu komunikatat, në vend të “nominimeve të KESCO” vetëm na tregoni orarin e reduktimeve – sa me sa – sa orë do të ketë rrymë dhe sa orë s’do të ketë rrymë”, ka shkruar ai.

Para disa ditësh, KESCO ishte ankuar lidhur me çmimet në bursë, dhe faktin se disa blloqe kishin rënë.

Njëjtë së fundmi, është raportuar se të paktën dy blloqe në KEK, kanë rënë.

“Rritja e prodhimit vendor ka kontribuar në stabilizimin e gjendjes, pas kthimit të bllokut B1 në funksion. Megjithatë, kërkesa për konsum vazhdon të jetë e lartë dhe KESCO po vazhdon mbulimin e kërkesës përmes importit, pavarësisht sfidave dhe kërkesës së rritur në treg, veçanërisht në këtë periudhë kur energjia elektrike është e nevojshme edhe për shtetet e tjera të rajonit dhe kërkesa në treg është e lartë. KESCO vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar energji elektrike dhe për të mbajtur furnizimin sa më të qëndrueshëm dhe stabil për konsumatorët. KESCO falënderon konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, dhe apelon që të vazhdojë kursimi i energjisë elektrike, veçanërisht në orët e pikut, për mbarëvajtjen e sistemit dhe për të mbështetur një furnizim sa më të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët”,thuhej në reagimin e KESCO.