Giacomo Taldegardo Francesco Salesio Saverio Pietro Leopardi (Recanati, 29 qershor 1798 – Napoli, 14 qershor 1837), poet, filozof dhe filolog italian.
INFINITI
Nga Lepoardi
Prore e kam pasur të dashur këtë kodër të përjetshme,
dhe këtë gardh, që në një masë të madhe
përjashton shikimin nga horizonti i mbramë.
Por duke u ulur dhe duke vëzhguar hapësirat
e paana matanë saj, dhe heshtjet
mbinjerëzore, dhe qetësinë aq të thellë
unë strukem te mendimi; ku për pak
zemra nuk lemeriset. Dhe si erën
dëgjoj të fëshfërijë mes këtyre bimëve, unë atë
hapësirë të pafundme dhe këtë zë
e krahasoj: dhe më kaplojnë përjetësia
dhe stinët e vdekura, dhe e tashmja
dhe e gjalla, dhe kumbimi i saj. Kësodore mes kësaj
pafundësie fundoset mendimi im:
dhe fundosja më është e ëmbël në këtë det.
(Përkthim i lirë)
Infiniti i Leopardit: histori dhe kuriozitet
Leopardi e shkroi Infinitin me gjasë mes pranverës dhe vjeshtës së vitit 1819, por e ka publikuar për herë të parë vetëm në vitin 1825, në revistën milaneze Il Nuovo Ricoglitore. Infiniti botohet pastaj në vëllimthin Versi (1826), më pas në përmbledhjen Canti duke filluar nga edicioni i vitit 1831, ku hap seksionin e “idileve”. Termi “idil” (diminutiv i termit grek εἶδος, që do të thotë imazh), mund të përkthehet me “tablo e vogël” dhe lidhet me traditën bukolike të filluar nga Teokriti në shekujt IV-III p.e.s., të përqendruar shpesh në idealizimin e natyrës dhe jetës së fushës.
E përkufizuar nga vetë Leopardi si një prej “idileve që shprehin gjendje, afeksione, aventura historike të shpirtit tim”, Infiniti nis në të vërtetë nga përshkrimi i peizazhit, të kodrës vetmitare dhe të atij gardhi që e pengon ta vëzhgojë horizontin. Por shumë shpejt largohet nga elementet natyrore për t’i lënë vend një introspeksioni të thellë, një udhëtimi në mendjen e poetit që, falë imagjinatës, krijon kontakt me infinitin dhe lë veten që ai ta marrë pas vetes.

Dorëshkrimi origjinal i veprës ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Napolit; në dorëshkrim i dytë gjendet në Muzeun e dorëshkrimeve të komunës së Visso-s (Macerata).
Analiza
Infiniti i Leopardit është i përbërë nga 15 njëmbëdhjetërrokësh të lirë, pra jo të lidhur me rima. Në brendi të këtyre vargjeve poeti ballafaqohet me një numër ndjesish, perceptive dhe emotive, që mund ta drejtojnë analizën tonë.
Poezia mund të ndahet në dy pjesë: në të parën na paraqiten “kodra vetmitare” dhe gardhi, pengesa vizive që pamundëson vëzhgimin “e pjesës më të madhe të vijës së skajshme të horizontit”. Kjo pengesë e bën poetin të lërë dimensionin e realitetit për të kaluar në rrafshin imagjinativ, duke përfytyruar “hapësirat e paana dhe heshtjet e pakonceptueshme nga mendja njerëzore dhe një qetësi të thellë”, që pothuajse e lënë të shtangur.
Në pjesën e dytë Leopardi rikthehet në rrafshin e realitetit nga zhurma e erës mes degëve me gjethe të pemëve, një perceptim (kësaj here akustik), që poeti krahason me heshtjen mbinjerëzore të infinitit hapësinor, duke arritur që me anë të mendimit të kapë edhe infinitin kohor, përjetësinë, të përbërë nga “epokat e kaluara dhe të zhdukura” dhe nga “koha aktuale, e tanishme, në jetë”.
Nëse deri në këtë moment të dy rrafshet (ai i realitetit dhe ai i infinitit) kishin qenë të dalluar dhe të ndarë mirë nga përdorimi i mbiemrave dëftorë “ky” (që i atribuohet realitetit të afërt) dhe “ai” (që i atribuohet infinitit të largët), vargu i fundit, ndër më të njohurit në tërë historinë e letërsisë, thotë: “Così tra questa immensità s’annega il pensier mio:/ e il naufragar m’è dolce in questo mare”. Në fund të lirikës poeti pra gjendet sërish jo vetëm më afër infinitit, por po ashtu edhe e lëshon veten në të ëmbëlsisht.
Leopardi e ndërton me kujdes tekstin e tij, me objektivin që të evokojë ndjesinë e gjerësisë së përjetuar prej tij: në rrafshin leksikal përdor terma të vagët dhe të papërcaktuar si “horizonti i mbramë” dhe “hapësira të paana”, në atë sintaksor mbizotëron polisindeti dhe koordinimi, duke bymyer rimën dhe në fund në rrafshin metrik përdor shpesh enjambentin, një figurë retorike që, duke thyer vargun, i jep poezisë frymëmarrje më të gjerë.
Duke lexuar këtë lirikë arrijmë t’i rijetojmë të njëjtat emocione të përjetuara nga poeti, edhe në distancë shekullore. Mund ta perceptojmë tërë fuqinë e imagjinatës, kënaqësinë e kësaj fundosjeje të ëmbël, por edhe shtangien që shkakton mendimi i një realiteti kaq të gjerë, i një përjetësie që rrjedh pa ndërprerje, duke lidhur t; kaluarën me të tashmen dhe të tashmen me të ardhmen.
/illibraio.it /Përkthimi Gazeta Express
