Regjisori disident: Regjimi i Khameneit patjetër do të bjerë
Përmbledhja
Jafar Panahi, regjisori i filmit fitues të Palmës së Artë, Ishte thjesht një aksident[Yek tasādof-e sāde], thotë se udhëheqësit iranianë duan ta shkatërrojnë vendin.
Nga: Philip Oltermann / The Guardian (titulli: Khamenei regime will not be able to keep control of Iran, says dissenting film-maker)
Përkthimi: Telegrafi.com
Pas shtypjes së dhunshme të valës më të fundit të protestave, regjimi i Khameneit nuk do të jetë në gjendje të mbajë kontrollin mbi shoqërinë iraniane, ka parashikuar një nga kineastët kryesorë të vendit.
“Është e pamundur që kjo qeveri të mbajë veten në këtë situatë”, tha për Guardian, regjisori Jafar Panahi. “Edhe ata e dinë këtë. E dinë që do të jetë e pamundur të sundojnë mbi njerëzit. Ndoshta qëllimi i tyre i vetëm tani është ta çojnë vendin në prag të kolapsit të plotë dhe të përpiqen ta shkatërrojnë”.
Protestat e shkaktuara nga ekonomia e dobët kanë përfshirë Iranin që nga fundi i dhjetorit dhe janë përballur me goditje vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë gjatë fundjavës, me raporte për më shumë se 2 500 njerëz të vrarë.
Ndërprerja e internetit të premten e kaluar, që bllokoi 95-99 përqind të rrjetit të komunikimit të vendit, ishte “shenjë se një masakër shumë e madhe po vinte”, tha Panahi. “Por, ne kurrë nuk parashikuam që shtypja do të kishte përmasa dhe shifra të tilla”.
Panahi, 65 vjeç, foli për Guardian-in nga ShBA-ja, ku ai po promovon filmin e tij më të fundit, Ishte thjesht një aksident. Vitin e kaluar, ai filmi fitoi Palmën e Artë në festivalin e filmit në Kanë dhe është një pretendent kryesor për Oskar më 2026 në kategorinë e filmit artistik ndërkombëtar.
Pjesërisht triler hakmarrjeje, pjesërisht komedi e zezë, konkurrimi francez për çmimin e Akademisë ndjek një grup ish-të burgosurish politikë iranianë që përpiqen të vendosin nëse do të marrin hak ndaj një burri për të cilin ata besojnë se i ka torturuar ata në burg.