Nëse pas krizës së paprecedentë gjatë vitit 2022, zbutja e përkohshme e inflacionit në vitet pasuese u propagandua nga ish-kryeministri Albin Kurti dhe ish-ministri Hekuran Murati si “arritje” e qeverisjes së tyre – pavarësisht mungesës së çfarëdo mase substanciale ekonomike që do t’ua justifikonte pretendimin – shifrat e vitit 2025 sollën një realitet shumë më të zymtë që e zhveshi në plotni këtë narracion.
Për të matur thellësinë e kësaj dyfytyrësie të ish-pushtetit – që shiste ‘begati’ dhe mohonte krizën gjatë fushatës së fundit zgjedhore – mjafton një shfletim i postimeve në Facebook në profilin e Hekuran Muratit.
Ndërsa në vitet paraprake ish-ministri i Financave e jepte si arritje të qeverisë rikthimin e inflacionit në normalitet, viti pasues u karakterizua nga një heshtje totale përballë një tjetër përshpejtimi të gërryerjes së fuqisë blerëse – i dyti me radhë përgjatë udhëheqjes së Kurtit. Ironikisht, vetë njoftimi i tij i fundvitit për subvencionimin e energjisë për 90 mijë familje, ekspozoi realitetin e krizës së jetesës në pesë vite.
Raportet e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës na skicojnë një trajektore fort shqetësuese të çmimeve. Kosova e mbylli 2025-ës me rikthim agresiv të shtrenjtimit të kostos së jetesës – duke kulmuar me normë vjetore inflacioni 5,3 për qind në dhjetor 2025.
Nëse dhjetori 2024 u mbyll me një normë vjetore minimale prej 1,1 për qind dhe mesatarja vjetore e 2024 ishte 1,6 për qind, viti që lam pas pati kthesë drastike: mesatarja vjetore u ngjit në 3,9 për qind.

Megjithatë, më shumë se mesatarja vjetore, alarmi i vërtetë vjen nga shifrat e fundvitit. Trendi rritës në mbyllje të 2025-ës është sinjal i qartë se presioni inflacionist do të bartet edhe në fillim të vitit 2026.
Fakti që vetëm në dhjetor çmimet u rritën me 0,7 për qind, dëshmon se spiralja e shtrenjtimit është riaktivizuar fuqishëm brenda një muaji të vetëm
Ajo që e bën problematik presionin aktual inflacionist është natyra e saj “gërryese” ndaj buxheteve familjare, me rritjen që po ushqehet kryesisht nga produktet esenciale.
Presionet më të mëdha inflacioniste në muajin dhjetor 2025 u ndjenë te pemët, energjia elektrike, mishi, lëndët djegëse të ngurta (dru/pelet), produktet kafe/çaj/kakao, si dhe te grupi qumësht/djathë/vezë.
Në nivel grupesh, ushqimi dhe pijet joalkoolike pësuan rritje prej 8.6%, ndërsa strehimi, uji dhe energjia u rritën me 10.7%./Nacionale

