Alarm në BE: Kafeja “Prince Caffe” me substanca të rrezikshme

Një njoftim alarmi është publikuar nga sistemi RASFF i Komisionit Evropian, ku raportohet se kafeja “Prince Caffe” e Devolli Corporation ka rezultuar me prani të akrilamideve në Kroaci. Alerti është bërë publik gjithashtu edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK).

Megjithatë, sipas njoftimit zyrtar, nuk sqarohet nëse janë marrë masa konkrete për tërheqjen e produktit nga tregu, nëse bëhet fjalë për të njëjtin lot prodhimi, apo nëse janë kryer analiza shtesë në kompaninë prodhuese apo në pikat e shitjes me pakicë.

Screenshot

Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin e reagimit institucional dhe transparencën ndaj konsumatorëve.

Çfarë janë akrilamidet dhe pse përbëjnë rrezik?

Akrilamidet janë klasifikuar që në vitin 1994 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e OBSH-së si substanca potencialisht kancerogjene (Grupi 2A). Studime më të fundit sugjerojnë se ekspozimi kronik ndaj tyre mund të dëmtojë fibrat nervore, duke rritur rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri.

Një meta-analizë e publikuar në vitin 2022 në revistën shkencore Frontiers in Nutrition, e cila përfshiu 31 studime me mbi 1 milion persona, gjeti një lidhje midis marrjes mesatare prej 23 mikrogramësh akrilamide në ditë për rreth 15 vjet dhe rritjes së rrezikut për disa lloje kanceri, përfshirë ato të zgavrës orale, stomakut, ezofagut, prostatës, pankreasit dhe tiroides.

Akrilamidet formohen gjatë gatimit në temperatura të larta, veçanërisht në procese industriale, por edhe në gatimin shtëpiak, kur ushqimet me përmbajtje të lartë niseshteje i nënshtrohen transformimit të sheqernave dhe aminoacideve. Ato janë të pranishme jo vetëm në kafe, por edhe në produkte si patatet e skuqura, biskotat, pica dhe produkte të tjera të pjekura.

Organizata Safe Food Advocacy Europe ka theksuar vazhdimisht nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe për masa më të forta rregullatore ndaj këtij përbërësi toksik.

Ndërkohë, konsumatorët në rajon mbeten në pritje të sqarimeve zyrtare dhe veprimeve konkrete nga autoritetet përkatëse, për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për shëndetin.