Padrejtësia karshi Abdixhikut dhe shpresat e rreme po tek ai!

Studiot televizive kanë ndikim. S’do mend. E kjo me gjasë duket të ketë qenë kurthi kryesor në të cilin mori në thua kreu i LDK-së. Mendoi që punët i ka mirë. E nuk do duhej t’i kishte. Për të vetmen arsye: përballë kishte Kurtin. Dhe mbi supe fiaskon që derivoi prej politikave të gabuara të Isa Mustafës.

Mbi këto premisa Abdixhiku krijoi përshtypjen që njëmend mund të jetë “Jusufi” që do ta këndellë “Egjiptin” e rrënuar në 12%. S’doli ashtu. Ka disa faktorë. Parësori ndërkaq është i qartë: vetëbesimi i tepruar. Zatën vetëbesimi tradicionalisht na ka larguar prej binarëve.

Harruan që LDK-ja s’ka fituar prej vitit 2004.

Por, pse Abdixhiku s’është i vetmi?! Simpatizantët e kësaj partie në nivel vendi kanë vetëbesim shumë më theksuar se kryetari i tyre. Gjithmonë, ka përjashtime. Janë të rrallë ata që “kapos” i cili drejton tufën mund t’ia përplasë fytyrës gjendjen në terren. E kjo është gabim. Për më tepër, kur harron që janë bërë dy dekada e kusur vjet që ai/ajo ose partia që mbështet s’e ka fituar ndonjë palë zgjedhje nacionale.

Çka tutje?!

Pa garanci për LDK-në. Nejse, situata është kristal. Kuvendi duhet të mblidhet. Në zgjedhje të brendshme duhet të shkohet. Por çka do të prodhohet?! Edhe kryetari i ri do ketë potencialin e dështimit si të Abdixhikut. Mbase edhe më tepër. Veç uroj një gjë: L.A. mos t’iu gjuhet gazetarëve që e përkrahën. Vetë ka dashur ashtu. I ka pëlqyer. Është vetëkënaqur me zërat brenda studiove. Duke injoruar terrenin. Atunë kryesore në politikë.