Kampioni i Kosovës sonte vazhdon ëndrrën evropiane.
Në kuadër të xhiros së katërt të nivelit të tretë të garave në Evropë,portokallinjtë do të ndeshen me kundërshtarin paraprak, Sivasspor, e të cilin e mposhtën 3-4 në Turqi, shkruan Futbollikosovar.net.
Radha është për Prishtinën dhe stadiumin “Fadil Vokrri”. Klubi përmes një njoftimi të djeshëm konfirmoi se të gjitha biletat janë shitur, çka do të thotë se shanset për një triumf, mbase edhe rriten.
Për çështjen e tifozëve dje foli edhe trajneri Daja në konferencën për shtyp, duke thënë se kjo është një gjë fantastike, porse rriten përgjegjësitë.
“Me mbështetjen e tifozëve nga Kosova dhe tifozerisë suharekase do të bëhet më e lehtë. Mbushja e stadiumit rrit pritshmëritë. Përgjegjësia për ne tanimë është edhe më e madhe. Jemi të gjitha skuadrat me nga katër pikë, kjo tregon se nuk ka ndeshje të lehtë. Ne jemi gati, por ndeshjen e nesërme duhet të bëjmë më shumë sesa në Turqi, për të marrë më të mirën”, tha ndër të tjerash ai.
Duhet përmendur faktin se të gjithë anëtarët e grupit kanë nga katër pikë, ashtu siç mund ta vëreni në renditjen e mëposhtme tabelare, ndërsa me fitore eventuale, ekipi nga Theranda do të bënte hap të madh përpara drejt kalimit të grupit, që para kualifikimit në këtë garë, llogaritej si ëndërr e përtej ëndrre.
Ndeshja fillon nga ora 21:00.