Ministria e Ekonomisë ka një njoftim shumë të rëndësishëm në lidhje me subvencionimin e qytetarëve

6 ditë pasi që Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen për subvencionimin e efiçiencës së energjisë, përkatësisht mbështetjen e qytetarëve në blerjen e paisjeve me nivel të lartë të efiçiencës, është arritur limiti i vlerës së subvencionimit të planifikuar.

Ministria e Ekonomisë, sipas njoftimit të vendosur në sistemin elektronik “EKosova” tashmë ka ndalur aplikimin e qytetarëve për subvencionim në kuadër të masës emergjente, raporton 07Press.com

Ndryshe, aplikimi për subvencionim ka qenë i ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë ishte paraparë në 14 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri me datën 20 Tetor 2022 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë Thirrje.

Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është 21 ditë kalendarike nga dita e aplikimit në fazën e parë.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”, andaj inkurajohen qytetarët të aplikojnë sa më herët.

Procedura e vlerësimit të aplikimeve

Aplikacionet e pranuara nga faza II do të vlerësohen nga një Komision i Ministrisë së Ekonomisë, i cili shqyrton nëse dëshmitë e ngarkuara në platformën e-Kosova janë konform kritereve të kësaj thirrjeje. Vetëm aplikimi që plotëson të gjitha kriteret do të pranohet për përpunim të mëtejmë.

E drejta për ankesë

Aplikantët të cilët vlerësojnë se aplikimi i tyre nuk është vlerësuar drejtë nga Komisioni përkatës i Ministrisë, mund të ushtrojnë të drejtën e Ankesës në afat prej 30 ditësh, konform Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA). Ankesa i drejtohet Ministrisë së Ekonomisë si autoritet që ka publikuar Thirrjen në emailin në vijim: [email protected]