Pas hedhjes së shortit për fazën play-off të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku Kosova u caktua të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinale në Bratislavë, kanë reaguar përzgjedhësi Franco Foda dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Përzgjedhësi Foda vlerësoi kundërshtarin, por theksoi vetëbesimin që skuadra ka krijuar nga rezultatet pozitive të fundit.
“Sllovakia ka një ekip shumë të mirë – kanë fituar 2:0 ndaj Gjermanisë në shtëpi. Por bazuar në rezultatet tona të fundit, kemi fituar si mysafir në Suedi, kundër Sllovenisë dhe Islandës gjithashtu. Ekipi ka shumë vetëbesim tani dhe mendoj se do të jetë një ndeshje e barabartë. Nëse e fitojmë këtë përballje, gjithçka do të vendosej pastaj në Prishtinë. Por ndeshja më e rëndësishme është ajo e parë, në Sllovaki”, u shpreh Foda.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, gjithashtu dha komentin e tij për shortin, duke theksuar rëndësinë e angazhimit maksimal.
“Çdo ndeshje në këtë fazë është si një finale. Nëse japim 100% nga vetja, besoj se do të arrijmë deri te finalja që do të luhej në Prishtinë. Po nuk patëm lëndime apo mungesa, me këtë ekip dhe me përkushtim maksimal, do të japim më të mirën dhe besoj se do ta kalojmë hapin e parë”, deklaroi Ademi.
Fituesi i përballjes Sllovaki – Kosovë do të ndeshet në finale me fituesin e çiftit Turqi – Rumani. Në rast kualifikimi, Kosova do të ketë avantazhin e fushës në “Fadil Vokrri”./Kërlaçki.com

