Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë edhe procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.
Osmani ka theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike.
Ajo ka theksuar gjithashtu se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që procesi të zhvillohet në mënyrë të rregullt, transparente dhe në përputhje me ligjin.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit me SHBA-në, duke e cilësuar atë si aleatin më të rëndësishëm strategjik të vendit.
Ndryshe, Osmani, tha se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërbëri Kuvendin e Kosovës, i cili nuk arriti të zgjedhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Gjatë një konference për media, pas takimit që më herët gjatë ditës mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin, dhe se tri parti thanë se cilado datë do të ishte në rregull për to.

