Limaj: Aty ku është Nisma, do të jetë kryeministri i Kosovës

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj, ka thënë se partia që ai drejton është grupacioni më i besueshëm politik në vend.

Limaj ka thënë se gjatë këtyre 9 muajve bllokadë ka qenë konsistente dhe i qëndrueshëm edhe pse për këtë është sulmuar nga kundërshtarët e tij politik.

Ai tha se në zgjedhjet e jashtëzakonshme do të bëhet bashkë me ata që kanë vizion politik për t’i fituar zgjedhjet, duke shtuar se aty ku do të jetë Nisma, do të jetë edhe kryeministri i Kosovës.

“Ne jemi grupacioni politik më i besueshëm në këtë vend, për shkak të qëndrueshmërisë dhe konsistencës tonë politike. 9 muaj para këtij Kuvendi me gjithë përpjekjet tona jemi atakuar, e sharë nga lloj-lloj dhe ja ku jemi, nuk ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit”.

“Vizioni im politik është bashkëbisedimi, kompromisi dhe gjetja e zgjidhjes për vendin. Ne preferojmë të bashkëpunojmë me një grup politik ku shohim se drejtuesi i tij është nisur për të qenë kryeministër i Kosovës dhe nëse e shohim këtë vizion ne jemi të gatshëm të japin kontributin e saj. Aty ku do të jetë Nisma do jetë kryeministri i Kosovës”, tha ai. /Zëri