Mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re, Glauk Konjufca, ka dështuar të marrë përkrahjen e nevojshme të deputetëve në Kuvend.
Sikurse Albin Kurti para një muaj, as Konjufca nuk ka arritur të marrë 61 votat që i duheshin. Kjo pasi askush prej deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk e ka votuar.
Kandidatura e tij ka marrë vetëm 56 vota. Kundër kabinetit të tij kanë votuar 53 deputetë, kurse kanë abstenuar 4 deputetë.
Megjithatë, në adresimin e tij, ku ka prezantuar programin e tij, ai ka kërkuar mbështetjen e të gjitha partive.
Fillimisht, ai ka treguar për përpjekjet që partia e tij ka bërë për formimin e qeverisë së re.
“Dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë, e dyta përpjekja në Kryesinë e Kuvendit dhe e treta është kjo e fundit ku ndodhemi tash”, është shprehur ai.
Para deputetëve, ai ka folur për dëmet që do t`i shkaktoheshin Kosovës mosvotimi i qeverisë së tij.
Sipas tij, kjo do të shkaktonte dy palë zgjedhje.
“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhje të tjera. Do të ishte arrogancë ta çojmë vendin në zgjedhje sërish. Nëse i mbajnë më dhjetor, kush na garanton që nuk shkojmë edhe në mars? Të mos harrojmë që ideja e domosdoshmërisë për mandatarin e dytë lindi pas dështimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ai.
Më pas, ai ka treguar objektivat e kabinetit të tij qeveritar.
Kurse, në fund të adresimit të tij, ai ka prezantuar përbërjen e kabinetit qeveritar, të cili e kishte prezantuar edhe Albin Kurti.

