Hill nis dëshminë në Speciale

Ish-emisari special i ShBA-ve gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka nisur dëshminë në Speciale.

Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të vendosura në Hagë të Holandës.

Ai ka nisur dëshminë në orën 14:00 dhe do të zgjasë deri në orën 17:00.

Roli i Hillit – autor i librit “Pararojë: jeta në vijën e frontit të diplomacisë amerikane” që përfshin pasazhe mbi zhvillimet politike dhe ushtarake të periudhës së luftës në Kosovë – në diplomacinë e atëhershme amerikane dhe marrëdhëniet e tij me udhëheqësit e UÇK-së gjatë e bëjnë të veçantë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

Në shtator, ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka dhënë gjithashtu dëshminë e tij para trupit gjykues, në kuadër të mbrojtjes së ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi, dhe bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Ndryshe, dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë të periudhës së luftës në Kosovë mund të jenë element përcaktues për të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke përmbysur narrativën e Prokurorisë së Specializuar se UÇK-ja ka pasur strukturë qendrore të konsoliduar që, sipas saj, ka urdhëruar vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovës./AlbanianPost