Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se sot ka zhvilluar biseda të mira dhe produktive telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Blinken, përmes postimeve në rrjetin social Twitter, ka treguar se gjatë bisedës me Kurtin kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne theksuam sesa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë bilateral dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. E falënderova edhe për mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës”, ka shkruar Blinken.
Good call today with Kosovan Prime Minster @albinkurti. We discussed the importance of our bilateral partnership and Kosovo’s efforts toward European and Euro-Atlantic integration. I also thanked him for Kosovo’s unwavering support of Ukraine.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) October 11, 2022
Sekretari amerikan gjithashtu ka treguar përmbajtjen e bisedës me presidentin serb, Vuçiq.
“Kisha një bisedë produktive me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ne diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin rajonal. E urova Serbinë për hapjen e ambasadës së re në Uashington D.C.”, ka shkruar Blinken.
Ndërsa në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price lidhur me bisedën telefonike të sekretarit Blinken me kryeministrin Kurti, thuhet se u fol gjithashtu për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës për integrimet evropiane dhe euroatlantike si jetike për arritjen e paqes dhe mirëqenies së qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq në bisedën me presidentin Vuçiq, sipas Price, Sekretari Blinken nënvizoi mbështetjen e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.
Në konferencën e përditshme për shtyp, duke folur për bisedat telefonike, Price theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës përballë agresioni rus.
“Kjo është një pjesë e botës që i di më mirë se shumë të tjerë pasojat e agresionit rus. Është një pjesë e botës që ka qenë një partnere kyçe në ndihmën për t’u ofruar partnerëve tanë ukrainas atë që u nevojitet”, tha Price.
Ndërkohë edhe kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq në njoftimet e tyre nga biseda telefonike me Blinken kanë theksuar kërkesën e Sekretarit amerikan për intensifikimin e dialogut dhe arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje me njohjen reciproke. /Telegrafi