Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili është në garë edhe për mandatin e 2-të, ka reaguar me një postim të fuqishëm në rrjete sociale, duke bërë një krahasim mes qeverisjes së kaluar të AAK-së dhe mandatit të tij katërvjeçar nën udhëheqjen e LDK-së, shkruan Gazeta Projekti.
Shehu ka akuzuar ish-qeverisjen komunale për keqmenaxhim të buxhetit dhe humbje të projekteve kapitale, duke përmendur konkretisht investimin prej rreth 2 milionë eurosh në shtratin e lumit Erenik, i cili sipas tij është shkatërruar brenda dy vjetësh. “Një dekadë dhe 2 milionë euro ia kanë humbur Junikut, vetëm pse kanë mundur,” ka shkruar ai, duke e cilësuar periudhën 2009–2021 si “definicion i keqmenaxhimit”.
Në të kundërt, kryetari Shehu thekson se gjatë katër viteve të qeverisjes aktuale, Komuna e Junikut ka realizuar mbi 11 milionë euro projekte kapitale, përfshirë ndërtimin e çerdhes së parë, shkollës “Edmond Hoxha”, rrugëve lokale dhe të bjeshkës, si dhe funksionalizimin 24/7 të QKMF-së. Ai ka theksuar se asnjë aferë apo skandal nuk ka ndodhur gjatë mandatit të tij, duke e konsideruar këtë si dëshmi të ndershmërisë dhe profesionalizmit në qeverisje.
“Projektet tona do t’i mbijetojnë kohës sepse janë planifikuar me kujdes dhe janë ekzekutuar me profesionalizëm maksimal,” shkroi Shehu, duke shtuar se më 9 nëntor, Juniku do të ndriqohet nga fishekzjarret e fitores së LDK-së, ndërsa më 10 nëntor do të nisë puna për mandatin e dytë.
“Transformimi i Junikut nuk mund të ndalet nga servilët apo patericat e tyre,” përfundon reagimi i Kryetarit Ruzhdi Shehu, i cili shoqëroi postimin me moton: #LDK113 #JunikuPërtej.

