Aktori Fatmir Spahiu konfirmon se vetë ai ishte propozim për ministër të Kulturës dhe Turizmit

Aktori dhe i propozuari për Ministri të Kulturës dhe Turizmit falënderon Albin Kurtin dhe premton të vazhdojë kontributin e tij për kulturën dhe promovimin e Kosovës.

Aktori i njohur Fatmir Spahiu – Bufi ka njoftuar se, megjithëse nuk u votua si Ministër i Kulturës dhe Turizmit, ai mbetet i përkushtuar ndaj kontributit të tij në fushën e kulturës dhe promovimin e vendit.

Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, Spahiu ka shprehur mirënjohje ndaj Kryeministrit Albin Kurti për besimin që tregoi në profesionizmin e tij, duke e propozuar për këtë pozicion, pavarësisht se ai nuk është anëtar i ndonjë partie politike.

“Pavarësisht që nuk u votua, e falënderoj zotin Kurti që tek unë ka parë një profesionist që do ta kryente mirë këtë detyrë. Si Bufi, do të vazhdoj kontributin tim aty ku e shoh që e kam vendin, edhe atëherë kur nuk më kërkohet”, ka shkruar aktori.

Ai premtoi gjithashtu se do të vazhdojë të promovojë gjuhën e butë dhe respektin e ndërsjellë, duke punuar për të bërë Kosovën një shembull kulturor dhe qytetar. Statusi përfundon me mesazhin: “Rrnoftë Kosova!”.

Fatmir Spahiu i përfundoi fjalët e tij duke nënvizuar se refuzimi i votimit nuk e ndal angazhimin e tij dhe dashurinë për vendin dhe kulturën kosovare.