Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se PDK-ja nuk duhet të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen dhe të mbajë qëndrim të fortë ndaj deputetëve që kalojnë në anën e pushtetit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka kërkuar që kjo parti të tregohet më e ashpër ndaj deputetëve që, siç tha ai, “e shesin vetveten” te Lëvizja Vetëvendosje (VV).
Në një intervistë për Tëvë1 të enjten, Haliti ka theksuar se PDK-ja duhet të qëndrojë larg çdo forme bashkëqeverisjeje me Vetëvendosjen dhe të ruajë rolin e saj opozitar.
“Unë mendoj që është gabim i madh i PDK-së të hyjë në koalicion. Kjo shumicë parlamentare e Vetëvendosjes e ka krijuar një situatë mosbesimi te qytetarët për të gjithë politikanët e Kosovës dhe unë mendoj që PDK-ja duhet të jetë e pozicionuar në opozitë sepse ajo duhet të ballafaqohet me të gjitha problemet të cilat i shkakton pozita,” tha Haliti.
Ai shtoi se, edhe në rast se formohet Qeveria Kurti 3 me një shumicë minimale, ajo do të përballet me vështirësi që në javën e parë të qeverisjes.
“Unë besoj që nuk do të ketë qeveri; ajo, edhe nëse bëhet me paterica, me 62 vota, do të ketë probleme që në javën e parë,” u shpreh ai.
Haliti theksoi se asnjë deputet i PDK-së nuk duhet të dorëzohet para Vetëvendosjes apo Albin Kurtit.
“Arsyet askush nuk i thotë pse p.sh Vetëvendosje nuk hyn me PDK-në, ashtu si PDK-ja nganjëherë deklaron e nevrikosur që ne nuk do të hyjmë me ta, por në anën tjetër jepet njëfarë mesazhi që ‘ju s’po na lusni’. Por, sidoqoftë unë besoj që PDK është vetëdijësuar,” tha ai.
Sipas Halitit, partia duhet të marrë masa ndaj çdo deputeti që devijon nga vendimet e saj politike.
“Nëse dikush e ka shitur vetveten, ai duhet të përjashtohet menjëherë nga partia. Ne kemi pasur raste të tilla në të kaluarën, por nuk kemi reaguar. E kemi konsideruar si vullnet të individit, por tani mendoj që partia duhet të jetë më e rreptë ndaj elementëve të cilët në një mënyrë ose tjetrën e tradhtojnë,” deklaroi Haliti.
Ai përfundoi duke theksuar se PDK-ja duhet të forcohet dhe të demokratizohet më tej, duke reflektuar mbi votimet e fundit në parlament dhe duke ndërtuar një qëndrim të qartë opozitar kundrejt pushtetit aktual.

