Një rast tejet i rëndë ka ndodhur orëve të para të ditës së sotme.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prizren përmes një njoftimi për medie.
Nga kjo komunikatë mësohet se pak pas mesnatës së datave 16 dhe 17 tetor, një burrë ka therur me thikë bashkëshorten e tij dhe vajzën e tyre të mitur.
Mësohet se të njëjtat janë në gjendje të rëndë.
“Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë vajza e mitur thuhet se është gjetur në katin e fundit të ndërtesës.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, thuhet tutje në njoftim.
Veç kësaj, në njoftim bëhet e ditur se në hyrje të banesës është identifikuar e më pas edhe arrestuar i pandehuri.
Ky i fundit është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.
“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, thuhet në njoftim.