Lladrovci: Memli Krasniqi është dashur të japë dorëheqje

Ramiz Lladrovci të mërkurën ka shkuar në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas.

Ai tha se fitorja e tij do ta disiplinojë PDK-në dhe të gjitha partitë në Kosovë. Po ashtu u shpreh se PDK-ja e tanishme nuk është siç ishte kur në krye të saj ishin udhëheqësit që tani gjenden në Hagë.

Lladrovci mes tjerash tha se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi do të duhej të jepte dorëheqje.

“Unë jam i gatshëm t’ia shtrijë dorën gjithsecilit, si partia e liderëve tanë, partia shtet-ndërtuese e shtet-themeluese, parita e lirisë me vazhdu me qenë qysh e kanë lënë liderët tanë jo ashtu siç kanë vendosë me udhëheqë disa liderë të ri të cilët e kanë keqpërdorë rëndë besimin e logos, besimin e qytetarëve kudo që janë përkrahës të PDK-së. Ne do t’ia kthejmë dinjitetin ngadalë, sigurisht do të ndjekim çdo procedurë. E drejtë morale e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qenë të jap dorëheqje”, deklaroi Lladrovci, raporton KOHA.

Lladrovci i është përgjigjur kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi pasi ky i fundit tha se fitoren në Drenas e ka arritur me votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Deri më sot asnjë betejë nuk e kam humbur. Nuk e di cka ka deklaruar z.Krasniqi, thanë që ka pasur konferencë por ia bëj me dije e ia kam bërë me dije se ka katër vite që unë e kam ulë Vetëvendosjen në Drenas sepse njerëzit e Vetëvendosjes që kanë besuar ndryshe nga qeverisja e Memli Krasniqit në qeverisjen time më janë bashkuar prej kohësh. Nga pesë asamblistë që i ka pasur Lëvizja Vetëvendosje prej kur e ka fillu mandatin në vitin 2021 ka përfunduar në dy asamblistë për të mos thënë në dy e gjysmë sepse ajo gjysma ka qenë gjithmonë me mua”, tha ai.