Pas gjashtë muajsh konstituohet Kuvendi, Nenad Rashiq nënkryetar nga radhët e komunitetit serb

Zgjedhja e Rashiqit u mundësua me votat e LDK-së, pas dështimit të kandidatëve të Listës Serbe në 27 raunde votimi.

Deputeti Nenad Rashiq është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.

Zgjedhja e tij u bë e mundur me votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Rashiq mori gjithsej 71 vota për, 9 vota kundër dhe 24 abstenime.

Me këtë votim, Kuvendi i Kosovës konsiderohet tashmë i konstituuar, pasi është plotësuar edhe posti i nënkryetarit nga komuniteti serb.

Zgjedhja e Rashiqit erdhi pas dështimit të të gjithë kandidatëve të Listës Serbe për ta siguruar këtë pozitë. Në përpjekjet e sotme për konstituimin e Kuvendit, nëntë deputetë të kësaj partie u propozuan për postin e nënkryetarit, por asnjëri nuk arriti të marrë 61 votat e nevojshme.

Secili prej tyre u votua nga tri herë, por nuk arritën të siguronin mbështetje përtej votave të Listës Serbe. Në total u zhvilluan 27 raunde votimi, në të cilat kandidatët serbë morën vetëm votat e partisë së tyre.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër kandidatëve të Listës Serbe, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së abstenuan.

Në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar këtë javë, thuhet se nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të atij komuniteti, që në këtë rast nënkuptohet Lista Serbe.

Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret të komunitetit serb, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve të atij komuniteti,” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.