Murati: Opozita po bëhet gati për formimin e qeverisë me Listën Serbe

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha sot se partitë opozitare në parlament po përgatiten që, pas zgjedhjeve lokale, të formojnë një koalicion qeverisës me Listën Serbe.

Murati pretendoi se ka informacione për këtë.

Në një postim në rrjetin social Fcaebook, ministri në detyrë tha se eksponentë të opozitës kanë filluar “ta thonë [këtë] edhe hapur nëpër tubime lokale e nëpër studio televizive”.

Në këto zgjedhje lokale do të vendoset për shumë më tepër sesa vetëm për komunat. Opozita po bëhet gati për me e ndryshu në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe me formu qeveri në koalicion me Listën Serbe”, tha Murati.

“Këtë tashmë kanë filluar ta thonë edhe hapur nëpër tubime lokale e nëpër studio televizive, nëse ua kushtoni vëmendjen e i dëgjoni me kujdes. Po premtojnë se pas zgjedhjeve lokale do të bëhen të gjithë bashkë e ta përmbysin qeverinë”.

Sipas Muratit, opozita me qëllim po e zvarrit hapin e formimit të qeverisë me Listën Serbe.

“Por meqenëse e dijnë se një koalicion me Listën Serbe para zgjedhjeve komunale do të ishte fatal për ta, opozita synimin e ka që me e zvarritë sa të mundet hapin e formimit të qeverisë, ashtu që koalicioni i tyre me Listën Serbe me u zyrtarizu tek pasi të kryhen zgjedhjet komunale”, tha ai.

Murati tutje shtoi se për zvarritje, “një argat po ua bën edhe Gjykata Kushtetuese, e cila po e mban Kuvendin të bllokuar tash e 1 muaj.”

“Në këto zgjedhje lokale do të përcaktohet edhe se çfarë Qeverie do të ketë Kosova – një Qeveri Kurti 3 që e forcon shtetin, apo një qeveri që e pret Listën Serbe në Kuvend për 6 orë derisa të kthehen nga Beogradi me instruksione se si ta sabotojnë shtetin e Kosovës”, u shpreh ai. /Paparaci.com