​Ngacmimet dhe dhuna seksuale, LDK inicion rezolutë në Kuvend

Fondacioni gjerman Konrad Adenauer, Zyra në Kosovë ka organizuar sot një diskutim të hapur me temën: “Politikat dhe veprimet kundër ngacmimeve dhe dhunës seksuale në Kosovë. Çfarë duhet bërë?”.
Në këtë tryezë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore konstatuan se është e domosdoshme që të ketë një riaktivizim mbi një qasje praktikisht proaktive në këtë drejtim. Ekzistimi i rasteve të recidivizmit të pandëshkuar është tejet shqetësues, sikurse janë veprimet e ndërmarra në përgjithësi në fazën parapenale. Vonesat që rrjedhin nga lëndët e shumta në trajtimin e këtyre rasteve, po shërbejnë si dekurajim për viktimat që t’i raportojnë këto krime, sikurse po shërbejnë për një lloj amnistie që po i bëhet kryerësve të këtyre veprave.

Përfaqësues të Forumit të Gruas së LDK, Jehona Lushaku dhe Doarsa Kica Xhelili thanë se LDK do të propozojë në Kuvend të Kosovës një rezolutë kundër dhunës seksuale, ku do të përcaktohen qartë detyrat e institucioneve të Kosovës, qeverisë dhe gjyqësorit, për të parandaluar këtë fenomen.

Kjo tryezë, por edhe takimet me institucione e shoqata të grave, do të shërbejë si mundësi për të marrë pikëpamjet e akterëve të ndryshëm, të cilat më pas do të jenë pjesë e kësaj rezolutë.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushtaku – Sadriu, deklaroi për KosovaPress se partia e saj do të kontribuojë në politika konkrete për ngacmimet seksuale.

“Forumi i gruas së LDK-së, së bashku me organizatën gjermane KAS ka organizuar këtë tryezë të rrumbullakët për të diskutuar politikat dhe veprimet që duhet ndërmarrë sa i përket ngacmimeve seksuale. Kemi parë që kohët e fundit është rritur numri i ngacmimeve seksuale dhe dhunës ndaj grave. Prandaj jemi shumë të shqetësuar dhe kemi dëshirë që të kontribuojmë me politika dhe veprime konkrete në këtë aspekt… Në kuadër të kësaj qasje të re të platformës politike, ne do të prezantojmë në Kuvendin e Kosovës një rezolutë e cila do të bëjë thirrje dhe do të prezantojë disa ide për të adresuar dhe rritur efikasitetin sa i përket rasteve për ngacmime seksuale dhe rasteve në përgjithësi ndaj dhunës ndaj grave. Ne në platformën tonë politike do të përfshijmë edhe veprime konkrete të cilat do të jenë masa konkrete nga komunat, aty ku ne qeverisë. Por do të ketë edhe politika të cilat si parti politike do t’i përfshijmë në platformën tonë për t’i ngritur atëherë kur jemi në qeveri”

Ndërsa deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili, tha se LDK do të iniciojë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për ngacmimet seksuale.

“Tashmë është e ditur se çështja e rasteve të dhunimit dhe ngacmimeve seksuale në përgjithësi po na shqetëson të gjithëve. Fakti që po raportohen më tepër është indikator se këto kanë ekzistuar gjithmonë. Mua më vjen mirë që po raportohen, por kjo tregon se çka pritet. Mekanizmat shtetëror duhet të riaktivizohen në këtë drejtim, pasi nuk po duket se janë mjaftueshëm efektiv. LDK-ja nuk e ka marrë këtë temë vetëm sa për të trajtuar parimisht në letër. Mënyra si duam ne të trajtojmë këtë temë është në kuptim plotësisht praktik. Ne duam të iniciojmë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës e cila do të merret plotësisht në terma praktik dhe proaktiv të institucioneve ekzistuese të Kosovës, që merren kryesisht me rastet e dhunimeve dhe sulmeve seksuale. Ne e kemi plotësisht të qartë zvarritjen e lëndëve në gjyqësi, numrin e madh të parashkrimit të lëndëve, qofshin për faj të prokurorëve apo gjyqtarëve. Këto lëndime të sistemit të drejtësisë nuk janë lëndime që duhet t’i vihen barrë viktimave të dhunimit dhe sulmit seksual. Pra një viktimë e dhunimit dhe sulmit seksual sot në momentin që mendon të raportojë rastin e saj nuk duhet të mendojë a do të zvarritet lënda e saj pesë apo gjashtë vite. U diskutua për krijimin e një task-force në polici dhe trajnimeve të avancuara të prokurorëve dhe gjyqtarëve për profilizim në këto lëndë. Si LDK është e rëndësishme që ne të vazhdojmë këtë komunikim me gjitha palët e interesit, viktimat dhe njerëzit e gjitha strukturave, institucioneve që të kemi të qartë se çka do të na nevojitet si tekst në rezolutën e Kuvendit që të sigurojmë se ai do të jetë i zbatueshëm dhe që do të shtyhet përpara”

Ndër folëset në këtë tryezë ishin Rozalia Biro, kryetare e Forumit të Gruas të Partive Popullore Evropiane me seli në Bruksel, Daniel Braun, drejtor i zyrës për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, i Fondacionit Konrad Adenauer, Jehona Lushaku, profesoreshë universitare dhe kryetare e Forumit të Gruas në LDK, Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe Arrita Rezniqi, hulumtuese, Instituti i Kosovës për Drejtësi.