Vjosa Osmani në një televizion republikan lavdëroi Trumpin në stabilitetin e Ballkanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart rolin e presidentit amerikan, Donald Trump, në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për “Fox News”, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara, Osmani tha se administrata Trump ka kontribuar ndjeshëm në parandalimin e përshkallëzimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo përmendi sulmin e armatosur të shtatorit 2023 në veri të Kosovës dhe një tjetër tentativë destabilizuese në maj të këtij viti, duke theksuar se ato u penguan falë angazhimit të NATO-s dhe mbështetjes amerikane.

Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Në maj pati një tjetër përpjekje për përshkallëzim dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për ta parandaluar. Parandalimi dhe frenimi kanë qenë çelësi në rajonin tonë”, tha Osmani.

Duke folur për udhëheqjen e Trumpit, presidentja shtoi se ai gjithmonë ka vepruar me vendosmëri dhe qartësi:

“Ndërsa ai ngjitet sot në podiumin e Kombeve të Bashkuara, ne presim një mesazh të fuqishëm për paqen përmes forcës, ky është mesazhi i vetëm që e kuptojnë autokratët dhe udhëheqësit e çmendur në botë”.