Uran Ismaili i kundërpërgjigjet Përparim Ramës: Problem s’është buxheti, po keqmenaxhimi

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka reaguar ndaj akuzave publike të kryetarit aktual të komunës, Përparim Rama, i cili kishte thënë se PDK dhe njerëz afër saj kanë bllokuar kontratën për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

I ftuar në “Përballje Podcast”, prodhim i Telegrafit, Ismaili i quajti këto akuza të pabaza dhe i konsideroi si tentativë për të hequr përgjegjësinë nga qeverisja aktuale. Ai mohoi kategorikisht çdo përfshirje në bordin e ndërmarrjes “Pastrimi” dhe shtoi se as vetë e as partia e tij nuk kanë aksione apo ndikim aty.

“Unë nuk kam qenë pjesë e bordit. Pika e parë. As nuk kam qenë anëtar, as nuk kam pasur fuqi vendimmarrëse për të ndikuar në një proces të tillë. Nuk kam qenë kurrë aksionar në Pastrimin dhe as PDK-ja nuk ka aksione aty,” shtoi ai.

Sipas tij, këto deklarata janë pjesë e një strategjie të njohur politike për të krijuar “fajtorë imagjinarë”, sa herë që mungojnë rezultatet konkrete.

Tash po përdoret një narrativë që ‘po më bllokojnë’, por nuk mund të më bllokojë dikush që s’është në bord dhe s’ka asnjë lidhje formale me atë proces. Kjo është thjesht një shpikje për të mbuluar paaftësinë,” theksoi ai.

Sipas Ismailit, problemi kryesor nuk është tek fondet, por tek menaxhimi i dobët i ndërmarrjes “Pastrimi”.