Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar mbledhjen e fundit e ka mbajtur më 18 qershor 2025.
Që nga ajo datë Bordi nuk ka mbajtur mbledhje të rregullta dhe as nuk e ka zgjedhur kryesuesin/en e ri/re, meqë ish-kryesuesit Dren Boshnjaku i ka kaluar mandati, shkruan Gazeta Shneta.
Nga Ministria e Shëndetësisë, së cilës i përgjigjet Bordi, e kanë arsyetuar mungesën e mbledhjeve të Bordit me mbajtjen e një punëtorie dy ditore në korrik si dhe me pushimet vjetore në muajin gusht.
“Bordi ka mbajtur gjithashtu një punëtori dyditore më 24 dhe 25 korrik 2025, ku janë shqyrtuar raportet gjashtëmujore, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe disa çështje të tjera. Për shkak të pushimeve vjetore dhe mungesës së kuorumit, në muajin gusht të këtij viti nuk është mbajtur asnjë mbledhje, një praktikë kjo e përsëritur edhe vitin e kaluar në të njëjtin muaj. Gjatë muajit shtator 2025 do të mbahet mbledhja e radhës e Bordit Drejtues të ShSKUK-së”, kanë deklaruar nga MSh.
Gazeta e ka pyetur MSh-në se cilat janë arsyet pse ende nuk është zgjedhur kryesuesi/ja e Bordit, por nga kjo ministri nuk kanë dhënë sqarime.
“Ju informojmë se, më datën 18 qershor 2025, është mbajtur mbledhja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, e cila është kryesuar nga z. Dren Boshnjaku, kryesues i bordit. Sipas Rregullores Nr. 01/2024 për punën e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, bordi mban të paktën një mbledhje në muaj. Në përputhje me rregulloren, në momentin që kryesuesi i bordit përfundon mandatin e tij, zëvendësimin e tij e merr anëtari më i moshuar në bord, që në këtë rast është Dr. Besa Balidemaj”, kanë deklaruar nga MSh.
Gazeta ka mësuar se mbledhja e radhës pritet të mbahet javën e ardhshme, porse ende nuk është gjetur modaliteti se kush do ta ftojë mbledhjen.