Policia serbe e ka arrestuar një burrë në pikëkalimin kufitar me Kosovën, Merdar, nën dyshimin për “krime lufte” gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99, njoftuan autoritetet serbe të martën.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H., 77-vjeçar.
Sipas njoftimit, ai dyshohet se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.
Nuk është e qartë kur është arrestuar ai, por Ministria serbe tha se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihet aktakuzë.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës për ta pyetur nëse është në dijeni për arrestimin e ndodhur në Merdar.
Arrestimi i tij vjen rreth një muaj pasi autoritetet serbe i arrestuan dy persona në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin kryer “krime lufte kundër popullsisë civile”.