Klinaku e Selmani para gjykatës për kërcënime ndaj Kurtit, tani shprehin pendesë.
Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për kanosje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, Klinaku më 29 dhe 30 gusht 2023 e ka kërcënuar publikisht Kurtin përmes postimeve në “Facebook”:
“Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, pat shkruar Klinaku.
Në deklaratën e dhënë në Prokurorinë Speciale më 8 nëntor 2023, Klinaku ka mohuar akuzat.
“Nuk kam bërë kurrfarë kërcënimi ndaj kryeministrit dhe kurrë nuk mendoj që ta kërcënoj dikë”, shtoi ai
Ndërsa Nuredin Selmani, i cili kishte mbështetur publikisht Klinakun dhe kishte postuar shkrime kërcënuese, ka pranuar veprimet dhe ka shprehur keqardhje.
“Ashtu nën ndikimin e alkoolit pak edhe në afekt i kam thënë ato fjalë që nuk është dashtë me i thënë. Pendohem për ato fjalë” – citohet Selmani në aktakuzë, përcjell Kallxo.com.
Më 10 qershor 2025, Albin Kurti ka dëshmuar në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit, duke deklaruar se beson në organet e rendit dhe se nuk ndihet i kërcënuar apo i rrezikuar.