S’ia rregulloi veturën për 20 ditë, klienti e rrah mjeshtrin në Veri

Një konflikt mes dy personave ka përfunduar me dhunë mbrëmë në Leposaviq.

Ngjarja ka ndodhur më 1 shtator 2025, rreth orës 21:00, në rrugën “24 Nëntori”, ku sipas kallëzimit të bërë në stacionin policor, një automekanik është goditur me grushte nga një klient i pakënaqur.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima P. Petronijeviq, mekanik, ka deklaruar se u sulmua nga Nebojsa Niniq, pasi nuk ia kishte rregulluar veturën për më shumë se 20 ditë.

I dyshuari e ka pranuar përleshjen gjatë intervistimit, ndërsa ka dhënë deklaratën e tij edhe një dëshmitar i rastit.

Viktima nuk kishte shenja të dukshme të dhunës, por u dërgua për kontroll në Shtëpinë e Shëndetit në Leposaviq, ku mjekët konstatuan se bëhej fjalë për lëndim të lehtë trupor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.