Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Ndër të sanksionuarit është Nicolas Yann Gillou, gjyqtari paraprak që kishte konfirmuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Masat në fjalë, siç ka njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit, janë ndërmarrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 14203, i cili “autorizon sanksione ndaj personave të huaj të përfshirë në veprime të dëmshme nga GJPN, të cilat konsiderohen në kundërshtim me interesat e Shteteve të Bashkuara”.
Sipas seksionit 1(a)(ii)(A) të këtij urdhri, “janë sanksionuar individët që janë përfshirë drejtpërdrejt në përpjekje të GJPN-së për të hetuar, arrestuar, ndaluar apo ndjekur penalisht persona të mbrojtur, pa pëlqimin e shtetit të tyre të shtetësisë”.
Të sanksionuarit janë:
Kimberly Prost, gjyqtare në Dhomën e Gjykimit të GJPN-së.
Nicolas Yann Guillou, gjyqtar në Dhomën e Gjykimit të GJPN-së.
Nazhat Shameem Khan, zëvendësprokurore në GJPN.
Mame Mandiaye Niang, zëvendësprokuror në GJPN.
Sipas njoftimit, gjyqtarja Prost është sanksionuar për rolin e saj në miratimin e hetimeve të GJPN-së ndaj personelit amerikan në Afganistan. Gjyqtari Guillou është sanksionuar për autorizimin e lëshimit të urdhrave të arrestit ndaj Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
“Zëvendësprokurorët Khan dhe Niang janë sanksionuar për vazhdimin e mbështetjes ndaj veprimeve të konsideruara të paligjshme të GJPN-së ndaj Izraelit, përfshirë ruajtjen në fuqi të urdhrave të arrestit për Netanyahu-n dhe Gallant-in që nga marrja e detyrës së tyre në Zyrën e Prokurorit të GJPN-së”, thekson Departamenti Amerikan i Shtetit.
Guillou ishte për katër vjet gjyqtar në Speciale. Ai shërbeu si gjykatës i procedurës paraprake në rastin kundër “katërshes së madhe” të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.