Vendimi i ZRrE-së, Hoti paralajmëron pasoja të mëdha: Do të largohen investitorët, papunësia do të rritet

Avdullah Hoti, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar pasoja të mëdha pas vendimit të ZRRE-së për dalje në treg të lirë të energjisë për bizneset. Ai ka thënë edhe se vendimi në fjalë ka krijuar pasiguri të madhe.

Deputeti, si disa nga pasojat e vendimit ka përmendur edhe largimin e investitorëve vendorë e ndërkombëtarë,  rritjen e kostove të bizneseve, kostos së jetesës për qytetarët si dhe, rritje të papunësisë.

Hoti ka shkruar edhe se, qasja e ZRRE-së e cila është ‘’arbitrare’’ dhe e mbështetur nga qeveria ‘’e mashtrimit’’, nuk u shërben bizneseve.

Postimi:

Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.

Kjo gjendje është e pakuptimtë. Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve.

Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë.

Si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë.

Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës.