Përmes rrjeteve sociale e thirrjeve telefonike ngacmoi Fitore Pacollin, Hazir Hoxha nën pranga

Policia e Kosovës ka arrestuar Hazir Hoxhën, i cili dyshohet se ka ngacmuar deputeten Fitore Pacolli përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike.

Rasti për Sinjalin është konfirmuar nga Enis Pllana, Zyrtar për Informim për Kryeqytetin në Policinë e Kosovës.

Ai bëri të ditur se ndaj Hoxhës, me rekomandim të prokurorit të shtetit, është inicuar një hetim për veprën penale “Ngacmim” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me datë 29.07.2025, ankuesja ka denoncuar në polici se është ngacmuar dhe shqetësuar përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike nga një i dyshuar. Hetimet e përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, menjëherë kanë trajtuar rrethanat e denoncuara, me ç’rast pas identifikimit dhe intervistimit kanë arrestuar të dyshuarin”, tha Pllana.