Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet në seancën e parafundit para skadimit të afatit kushtetues të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar Avni Dehari ka caktuar edhe një seancë të fundit para skadimit të afatit prej 30-ditësh.
Seanca është ftuar për të shtunën në orën 14:00.
“Seancën e radhës do ta mbajmë nesër, pra për sot ndërpritet seanca, nesër takohemi në orën 14:00”, tha Dehari.
117 deputetë ishin të pranishëm në sallë të premten, 54 votuan për komisionin për votim të fshehtë.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja i kërkuan kryesuesit të seancës që të rikthehet në rendin e ditës dhe të mos vazhdonte me votimin e komisionit për votim të fshehtë.