Presidenca: Liderët botërorë që vizitojnë Kosovën i presim në zyrën ku ndihet era e kanalizimeve

Presidenca e Republikës së Kosovës ka thënë se në sallat ku priten liderët botëror ndihet era e kanalizimit, për shkak se Kreu i Shtetit nuk e ka një objekt të posaçëm për realizimin e detyrave.

“Kosova është vendi i vetëm në Evropë – në mos edhe në botë – ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar. Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale.

Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur.”, thuhet në një njoftim të Presidencës.

Ky reagim i Precedencës vjen pas raportimeve se Presidentja synon ndërtimin e objektit presidencial me suitë gjumi, dhomë familjare e oborr privat.

“Presidentja e vendit ASNJËHERË nuk ka kërkuar ndërtim të ndonjë rezidence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private, e as ndonjë luks tjetër personal. Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e Presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës.”, thuhet tutje.

Aty thuhet se Presidentja nuk ka autorizuar ndërtimin e suitave apo hapësirave private, por ka kërkuar vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare, përfshirë një suitë pritjeje për mysafirët ndërkombëtarë dhe homologët që vizitojnë Kosovën — praktikë standarde në çdo presidencë në botë.

“Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private). Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës.”.