Deçani nderon babanë që ecte çdo ditë 20 kilometra me të birin me sindromën Down

Komuna e Deçanit ka organizuar të mërkurën një ecje simbolike nën moton “Hapave të Sadriut dhe Azemit”, në nderim të një prej rrëfimeve më prekëse të dashurisë prindërore dhe fuqisë së familjes.

Ecja ka nisur nga rrethrrotullimi te “Liridoni” në Carrabreg në orën 11:00 dhe do të përfundojë në qendër të Deçanit.

Ngjarja i kushtohet Sadri Shalës, babait që për vite me radhë ka ecur çdo ditë me të birin Azemin, i cili ka Sindromën Down. Gjestet e përditshme të Sadriut janë kthyer në simbol të dashurisë së pakusht dhe përkushtimit prindëror, duke prekur zemrat e shumë qytetarëve në gjithë Kosovën.

Sadri Shala vdiq më 13 korrik.

“Hapat e tij ishin forcë për dikë, sot janë frymëzim për të gjithë”, thuhet në njoftimin e komunës.

E në një njoftim më herët, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, rrëfeu historinë emocionuese të Sadriut.

“ ‘15 kilometra i bom sot bac, përdit i bëjm qekaq, kanihere djali po ka qejf me ecë ma shumë e i bëjm 20’ më tha para tre ditësh baci Sadri”, rrëfeu Ramosaj.