Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit me arsyetimin se ka punuar në dëm të interesave të shtetit. Kurse, LDK ka deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë.
Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë as votat për formimin e Qeverisë, për çka kanë thënë se nevojitet marrëveshje politike. Megjithatë, në LVV kanë thënë se kjo duhet provuar duke votuar fillimisht konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, PDK dhe LDK iu ka drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë shkelur Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i dërgohet Kushtetuese se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më afatin e paraparë prej një muajsh.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, është deklaruar lidhur me seancën konstituive që pritet të mbahet nesër, duke kërkuar respektim të plotë të Kushtetutës dhe rregulloreve të Kuvendit.
Ajo ka theksuar se deputetët e AAK-së nuk do të votojnë për një komision që është anti-kushtetues dhe nuk ka shumicën e votave të nevojshme.
“Në vazhdimësi do të kërkojmë t’i kthehet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, t’i kthehet rendit të ditës së përcaktuar me rregullore të Kuvendit dhe me ligjet e Kosovës. Nuk votojmë në një komision që s’ka vota dhe që është antikushtetues”, ka theksuar Kadrijaj.
Ajo ka rikujtuar se rasti për këtë çështje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimi është marrë, por sipas saj, nuk po respektohet nga kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Pikërisht për këtë çështje ne e kemi dërguar lëndën në Gjykatë Kushtetuese, kemi marrë një verdikt të cilin zotëri Kurti, LVV nuk po e respektojnë. Dhe nuk mund të na detyrojnë në njëfarë forme Albin Kurti me u barazu dhe me qenë edhe ne shkelës të Kushtetutës, njëjtë sikurse po vepron Albin Kurti dhe LVV”, ka thënë Kadrijaj.
Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.