Sot në ora 12:00 vazhdon seanca konstituive, PDK e LDK thonë se do t’ua rikërkojnë dorëheqjen (ish)pushtetarëve

Pasi Lëvizja Vetëvendosje tha se ishte para një situate të cilës pretendon se nuk ia di vazhdimin, këtë ia tregoi presidentja Vjosa Osmani, e cila i ktheu përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për t’i thënë se seanca konstituive e Kuvendit e ndërprerë të martën, do të duhej të vazhdonte sot, pasi ai i kishte kërkuar mendim për rrugën që duhej ndjekur më tej.

Seanca do të vazhdojë, siç ka bërë të ditur nga Kuvendi dje pasdite përmes një njoftimi për media. Deputetët do të mblidhen sërish sot atje për vazhdimin e seancës që pritet të fillojë në ora 12:00.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë në sallën kryesore të Kuvendit në atë orë.

Ata do të kërkojnë sërish dorëheqjet e qeveritarëve.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i tha Gazetës Express dje se “asgjë nuk ka ndyshuar” sa i përket kërkesës për dorëheqjen e qeveritarëve, duke konfirmuar se këtë do ta kërkojnë edhe sot.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se kjo parti “do të vazhdojë të sillet në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe sëkëndejmi të vet Republikës”.

“Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike!”, shkroi ai dje në një postim në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se i ka shumicën e votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por seanca konstituive që nisi të martën nuk vazhdoi më shumë se deri te procesi i votimit të raportit të komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve. Ishin vetëm 52 deputetë që votuan për këtë raport, 46 ishin kundër dhe 11 abstenuan.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja votuan kundër këtij raporti, pasi thanë se në të kundërtën do ta shkelnin ligjin. Ato thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas ligjit të ri për Qeverinë.

LVV-ja pretendoi se në komisionin e përkohshëm kishte paraqitur një letër e dorëheqjes së Kurtit nga pozita e kryeministrit, por këto parti nuk e konsiderojnë atë akt të njëmendtë dorëheqjeje. Në fakt kështu mendon edhe Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili letrën e konsideron “jovalide” dhe thotë se s’ka “asnjë vlerë”.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit vazhdimi ishte i qartë sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili paralajmëroi se një bllokadë me mosmbledhjen e deputetëve të enjten paradite është “shkelje e çdo norme juridike që vlen për konstituim të Kuvendit”.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Arbër Rexhaj tha se i kanë votat e nevojshme që sot ta zgjedhin kryeparlamentarin.

“Mendoj që nesër pra ne do ta zgjedhim kryeparlamentarin dhe për këtë gjë i kemi siguruar (votat). Jemi në proces të krijimit të numrave. E keni parë Nismën atë ditë, ka votuar ‘për’”, tha ai mbrëmë në Kanal10.