“ S’ka asnjë tregues për largimin e ushtarëve amerikanë, Qeveria e re e Kosovës të jetë thellësisht bashkëpunuese me ShBA”

Një raportim i gazetës gjermane “Bild” për tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa, krijoi ‘stuhi’ reagimesh në qendrën e të cilave ishte shqetësimi se çfarë mund të pasojë në kontinentin evropian pas një veprimi të tillë të superfuqisë botërore që aktualisht po drejtohet nga Donald Trump. 

Reagime pati edhe në Kosovë, ku u shtuan shqetësimi e frika që prezenca ushtarake amerikane mund të largohej nga KFOR-i.

Kosova edhe dy javë pas zgjedhjeve s’ka rezultat përfundimtar, por çështje si marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-ve, dialogu mes Kosovës e Serbisë dhe, ndikimi si ai politik e ai i sigurisë për Kosovën nga largimi i mundshëm i trupave amerikane vazhdojnë të diskutohen me intensitet në publik.

Lidhur me gjitha këto, Gazeta Express ka marrë prononcim nga eksperti për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington, Adrian Shtuni.

I pyetur për mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave amerikane nga Evropa, Shtuni ka deklaruar se nuk ka tregues që konfirmojnë diçka të tillë, madje, është e kundërta, pasi që Sekretari i Mbrojtjes Hegseth konfirmoi qartë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës së NATO-s, thotë ai.

Shtuni u ka sugjeruar politikanëve që do ta drejtojnë vendi në të ardhmen që të shprehin mirënjohjen ndaj aleatëve e sidomos ndaj SHBA-ve, jo vetëm me fjalime të bukura, por me veprime konkrete.

Po ashtu, ai ka theksuar se është e nevojshme që Kosova ta formojë sa më shpejt qeverinë e re “pa humbje kohe”, dhe se raporti i vendit me SHBA-të, edhe pse “special”, ai nuk është i “pandryshueshëm” .

Sa i përket raporteve të qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, me emisarin Grenell, Shtuni ka sugjeruar se kushdo “që do të jetë në krye të koalicionit të ri qeverisës në Prishtinë të adoptojë një qasje të re thellësisht bashkëpunuese në marrëdhëniet me Washingtonin.”

Gazeta Express: Ditët e fundit kemi parë raportime të ndryshme mbi mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave amerikane nga Evropa; Sa e shihni të mundur një gjë të tillë përkundër që pati një deklaratë nga vetë Presidenti Trump se kjo nuk i është kërkuar dhe se nuk do ta bënte?

Adrian Shtuni: Raportimet në fjalë janë spekulative. Nuk ka asnjë tregues në momentin që flasim se Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë një tërheqje të pjesshme trupash apo kapacitetesh mbrojtëse nga Evropa. Përkundrazi, pak ditë më pare Sekretari i Mbrojtjes Hegseth konfirmoi qartë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës së NATO-s.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjërat do të vazhdojnë si më parë. Ai po ashtu ishte i qartë se administrata aktuale në Washington kërkon të njëjtin përkushtim ndaj NATO-s prej gjithë aleatëve dhe se administrate ka pritshmëri të qarta ndaj tyre që të përmbushin zotimet që kanë marrë për të rritur shpenzimet, aftësitë, kapacitetet dhe gatishmërinë mbrojtëse pa vonesë. Të njëjtën gjë e kanë thënë si Presidenti Trump ashtu edhe Sekretari i Shtetit Rubio. Në fund të fundit nëse vendet evropiane nuk mbajnë premtimet dhe nuk i japin përparësi rritjes së aftësive të tyre mbrojtëse në kohë lufte në shtëpinë e tyre si mund të jenë ato aleate të besueshme dhe të qëndrueshme për Amerikën? Sidomos kur i kanë mundësitë ekonomike ta bëjnë një gjë të tillë por i shmangen obligimeve. Aleancat nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si shoqata bamirësie.

Është fakt se varësia e krijuar nga aleatët Evropianë ndaj mbrojtjes së SHBA-ve nuk i shërben as vetë atyre dhe as një NATO-je të fortë. Pra do të ishte në dëm të interesit strategjik të SHBA-ve nëse Washingtoni do të vazhdonte ta lejonte madje edhe ta mundësonte këtë varësi që vendet Evropiane kanë krijuar prej dekadash. E thënë ndryshe, ajo që do të ndodhë në të ardhmen me nivelin e pranisë së mbi 100,000 ushtarëve amerikanë dhe kapaciteteve mbrojtëse të SHBA-ve të dislokuara në Evropë do të varet jo vetëm nga vullneti i SHBA-ve për të mbrojtur Evropën por edhe nga vullneti i aleatëve Evropianë për të përmbushur zotimet e marra e për ta mirëmbajtur aleancën e NATO-s dhe në fund të fundit për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre.

Gazeta Express: Lidhur me këtë janë ngritur shqetësime edhe në Kosovë që ushtarët amerikanë mund të largohen; Çfarë ndikimi do të kishte një veprim potencial i tillë, edhe në aspektin e sigurisë edhe atë politik?

Adrian Shtuni: E përsëris se në kohën kur po flasim nuk ka asnjë tregues se forcat ushtarake amerikane mund të tërhiqen nga roli i tyre mbrojtës e paqeruajtës në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Por, sigurisht se do të ishte në të mirën e Kosovës që përfaqësuesit e saj politik ta shprehnin qartë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj investimit të fortë, të vazhdueshëm dhe afatgjatë të aleatëve dhe sidomos të SHBA-ve në të mirë të sigurisë, sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se vlerësimi nuk është çështje fjalimesh të bukura se si Kosova është vendi më pro-Amerikan në botë, por është çështje veprimesh konkrete, partneriteti të sinqertë dhe bashkërendimi real të veprimeve, sidomos në veri të vendit, në çdo hap në mënyrë transparente. Gjithashtu është çështje përmbushjeje e obligimeve të marra përpara SHBA-ve. Do të ishte dritëshkurtësi të merret si i mirëqenë investimi domethënës i SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë strategjikë në Kosovë duke thënë një gjë e duke bërë diçka tjetër. Ato kohë kanë marrë fund.

Të jemi të qartë edhe për një gjë konkretisht, kontigjenti amerikan në Kosovë në kuadër të KFOR-it aktualisht është mbi 600 trupa. Ky kontingjent është pothuaj dyfish më i madh se ai francez, gjerman, dhe anglez të marrë së bashku. Kjo duhet lexuar qartë sa i përket nivelit të dedikimit të SHBA-ve ndaj Kosovës. Sido që të jetë, sa i përket pasojave të largimit hipotetik për të cilin ju pyesni, përveç impaktit në aspektin e sigurisë që do të ishte domethënës, unë më shumë do t’i druhesha mesazhit dhe pasojave politike që një largim i tillë do të përcillte, sidomos në një kohë ekuilibrash të trazuar gjeopolitikë në botë. Ndaj, një skenar i tillë do të duhej të shmangej me çdo kusht.

Gazeta Express: Kosova aktualisht është në fazën e paszgjedhjeve në një situatë të paqartë për krijimin e qeverisë së re; A mendoni se krijimi i kësaj qeverie, do të ishte më mirë të bëhet nga pushteti aktual apo nga opozita, gjithherë duke pasur parasysh përplasjet e VV-së me perëndimin?

Adrian Shtuni: Realisht, në këtë situatë ku gjendet Kosova, më shume se nuancat, programet, apo prioritetet politike të partive të veçanta ka rëndësi formimi pa humbje kohe i qeverisë dhe shmangia e krizës institucionale nëpërmjet kompromisit.

Në fakt sapo pashë intervistën e Friedrich Merz, udhëheqësit të Bashkimit Kristian-Demokrat që fitoi zgjedhjet në Gjermani. Fjalët e para që tha ishin: ”Bota nuk na pret ne. Nuk na pret që të bëjmë bisedime dhe negociata të stërzgjatura. Duhet të veprojmë menjëherë që të bëjmë atë që duhet për vendin, që të jemi të pranishëm në Evropë, dhe që bota ta shohë se Gjermania do të qeveriset në mënyrë të besueshme përsëri.” Nëse bota s’e pret Gjermaninë, imagjinoni se sa e pret Kosovën. Nëse vonesat dhe vakumi qeverisës është i dëmshëm për Gjermaninë imagjinoni se çfarë kostoje do të kishte për Kosovën. Në këtë moment tërmetesh gjeopolitike, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, bashkëpunim dhe konstruktivitet si në politikën e brendshme ashtu edhe në marrëdhëniet me partnerët strategjikë.

Liderët e ndërgjegjshëm në Kosovë do të duhej ta lexonin qartë momentin dhe përgjegjësitë historike që ai i vë përpara. Duhet të shmangin lojërat mendjengushta politike për interesa të vogla partiake. Kosova ka nevojë për qeverisje të qëndrueshme, ndaj të gjithë politikanët e përgjegjshëm në Prishtinë duhet të bëjnë nga pak kompromis për të gjetur një formulë konsensusi politik që do t’i shërbente stabilitetit të Kosovës dhe avancimit të interesave madhore afatgjata të vendit.

Ta themi qartë, në planin afatgjatë nuk do të kishte asnjë të fituar nga kriza institucionale që po i vërdalloset Kosovës. Përsëritja e zgjedhjeve pas disa muajve apo pas një viti do të ishte shpërdorim kohe të vyer dhe një kosto e rëndë për popullin. Qeveria e re e kompromisit dhe konsensusit pragmatik është domosdoshmëri, sikundër është edhe rikthimi në binarë i partneritetit me SHBA, për të zbatuar vullnetin e popullit dhe për të çuar përpara interesat e vendit. Kushdo që nuk e kupton këtë nevojë, nuk ka gatishmëri kompromisi, apo nuk pranon qeverisje në koalicion duhet t’i hapë rrugën të tjerëve.

Gazeta Express: Nëse do të ketë një qeveri bashkëpunuese në Kosovë me SHBA’të cili mendoni se do të ishte raporti i ri Prishtinë -Washington. A mund të ketë Kosova përsëri siç thuhet shpesh këtu raport “special” me Amerikën e udhëhequr nga Trump?

Adrian Shtuni: Kosova është e privilegjuar që ka një raport special me SHBA-të. Por asgjë në botë nuk është e pandryshueshme, sidomos në periudhën aktuale kur raportet dhe dinamikat gjeopolitike janë në ndryshim e sipër. Këtë raport special të ndërtuar me shumë mund nëpër dekada, politikanët në Prishtinë nuk mund e nuk duhet ta marrin për të mirëqenë por duhet ta mirëmbajnë e ta forcojë nëpërmjet angazhimit proaktiv dhe bashkëpunimit të ngushtë, këmbëngulës e të palodhur me administratën e re të Presidentit Trump.

Pyetja është: a është duke ndodhur ky lloj angazhimi nga diplomacia e Kosovës aktualisht në Washington? E nëse jo, përse jo? A ka një plan të qartë dhe konkret angazhimi strategjik Prishtina me administratën e re? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të përcaktojnë edhe llojin e raportit dhe cilësinë e partneritetit që Kosova mund të ndërtojë me Amerikën gjatë presidencës Trump. Po e them qartë, raportet speciale nuk janë trashëgimi që i ke në pronësi të përjetshme, por janë përgjegjësi që kërkojnë vetëdije dhe modesti, vizion strategjik, dhe mirëmbajtje të vazhdueshme.

Gazeta Express: Çfarë prisni për çështjen e dialogut. A mendoni se do të ketë bashkëpunim SHBA -BE për dialogun apo Uashingtoni dhe Emisari Richard Grenell do të iniciojnë ndonjë proces të tyre për një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë?

Adrian Shtuni: E përsëris, në këtë moment shumëçka në raportet e dinamikat gjeopolitike është në gjendje fluksi, edhe vetë raportet SHBA-BE. Ndaj duhet vëmendje e shtuar dhe mendjemprehtësi pasi ndryshimet sistemike sjellin shumë paqartësi dhe sfida, por edhe oportunitete unike që duhen lexuar me realizëm dhe nuk duhen shpërdoruar. Në këtë moment nuk është e thjeshtë të parashikosh se çfarë do të ndodhë me dialogun por është e rëndësishme që Kosova në rrallë të pare të pozicionohet strategjikisht në raport me administratën Trump, dhe në radhë të dytë të punojë zgjuar me BE-në për të bindur vendet që ende s’pranojnë që të hiqen masat ndëshkuese si ekonomike dhe politike ndaj vendit. Unë nuk jam i vetmi që po e rekomandoj me këmbëngulje këtë qasje. Ka edhe mjaftë zëra të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan që sugjerojnë hapa të ngjashëm.

Pa dyshim, për të qenë e qëndrueshme zgjidhja për normalizimin Kosovë-Serbi duhet të jetë e pranueshme nga të dyja palët dhe jo e imponuar, por jo edhe një proces negociatash pa fund e pa rezultate të prekshme. Kjo do të kërkonte një mendësi më kreative dhe praktike nga palët dhe lehtësuesit e dialogut, për të zgjidhur probleme të vjetra ndër-etnike në Ballkan në mënyrë pragmatike. Pra pyetja është çfarë mund të bëhet ndryshe në vijimësi? Çfarë dhe kush do t’i bënte palët të dalin të kënaqura me një kompromis të pranueshëm që përmirëson jetën e popullit në terren dhe hap perspektivë për paqe dhe zhvillim? Si do të dukej ky kompromis? Këto janë pyetje që duan përgjigje praktike për një zgjidhje të qëndrueshme.

Më praktikisht, unë i sugjeroj kujtdo që do të jetë në krye të koalicionit të ri qeverisës në Prishtinë të adoptojë një qasje të re thellësisht bashkëpunuese në marrëdhëniet me Washingtonin, (dhe gjithë funksionarët shtetërorë apo emisarët që përfaqësojnë presidentin Trump, përfshirë zotin Grenell), dhe partnerët e tjerë të rëndësishëm evropianë. Të krijojë me prioritet një forum këshillimor strategjik të posaçëm për formulimin e politikave të jashtme angazhuese dhe largpamëse në një kohë me zhvillime të jashtëzakonshme. Një forum këshillues që ofron qasje realiste dhe zgjidhje pragmatike, jo për botën ideale në të cilën do të donim të jetonim, por për botën reale në të cilën jetojmë, e që nuk pret për askënd.