Ismet Tara, i njohur si Komandant Hoxha, ka deklaruar se do t’i përgjigjet pyetjeve shtesë të Prokurorisë vetëm nëse ato dalin nga kundërpyetjet e mbrojtjes, duke refuzuar të japë përgjigje për çështje të tjera.
“Pyetjeve shtesë lidhur me këto pyetje që do i parashtroni ju do i përgjigjem, por në qoftë se del jashtë pyetjeve tuaja nuk do t’i përgjigjem,” tha Tara.
Avokati Rodney Dixon, i cili përfaqëson Kadri Veselin, tha se ky është një vendim që duhet ta marrin gjykatësit dhe jo dëshmitari. Ai gjithashtu kërkoi informacion mbi një dokument të cilin Tara e kishte përmendur në seancën e mëparshme.
Sipas Tarës, dokumenti në fjalë ishte hartuar në vitin 2019 nga hetues dhe prokurorë që e kishin marrë në pyetje për 32 orë, por ai nuk ishte informuar për ekzistencën e tij deri më 19 të këtij muaji.
“Dokument që është zhdukur prej prokurores sime. Është dokument që është përshkruar më 2019-ën nga të gjithë ata hetues dhe prokurorë të mi që më kanë marrë në intervista për 32 orë. Ai dokument nuk është përshkruar në prezencën time. Nuk më është treguar kurrë as për t’u lexuar dhe as nuk e kam nënshkruar,” deklaroi ai.
Tara pretendon se ky dokument përmban përshkrime të rreme, duke sugjeruar se ai kishte akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime. Ai akuzoi prokuroren Vega Iodice për zhdukjen e dokumentit dhe shtoi se edhe stafi i saj dhe përkthyesja shqiptare ishin në dijeni të kësaj çështjeje.
“Sipas përshkrimit të ish-intervistuesve të mi, dokumenti sugjeronte se unë kisha thënë se di për shumë krime të kryera nga UÇK-ja, për vrasje dhe djegie të civilëve. Janë dy fletë që unë nuk i kam nënshkruar dhe nuk i kam parë kurrë,” tha ai.
Dëshmitari përshkroi tronditjen e tij kur e pa për herë të parë dokumentin, duke thënë se përmbajtja e tij ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që ai kishte deklaruar.
“Kur kam filluar ta lexoj këtë dokument, kam filluar të qaj dhe të bërtas. Një fletë e kam lexuar dhe kur e pashë se si më kishin përshkruar, jam trishtuar dhe e kam humbur veten. Më ka kapur frika, sepse ende sot jam i rrezikuar nga ai dokument,” tha ai.
Avokati Dixon konfirmoi se do të bëhen pyetje në lidhje me këtë dokument, por fillimisht do të adresohen çështje të tjera.
Gjatë dëshmisë, Tara pohoi se ka qenë pjesë e njësisë “Arti” dhe më pas ka kaluar në Zonën e Pashtrikut dhe Brigadën 124. Ai shtoi se kishte ndihmuar edhe Shtabin e Likocit, duke ofruar ndihmë me ushqime dhe barna për popullatën e zonave të Rezallës dhe Plluzhinës./AlbanianPost