Është zyrtarizuar lidhja e koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës “Ideal”, të prirë nga ish-deputeti Nuredin Lushtaku.
Marrëveshja e koalicionit është nënshkruar nga të gjithë partnerët e koalicionit të martën, në një konferencë për media.
Koalicioni përfshin AAK-në, Nismën Socialdemokrate, konservatorët dhe intelektualët.
Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nuredin Lushtaku, tha se ka ardhur koha që Kosova të udhëhiqet nga “njerëz që kanë dhënë për vendin”.
“Unë sot e ndjejë veten shumë mirë që jam në mesin e dy burrave që kanë kontribuar për vendin që prej ditëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e deri më sot nuk e kanë ndal asnjëherë kontributin për shtetin e Kosovës”, tha Lushtaku.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Nuredin Lushtaku është një “shqiptar i zoti, patriot dhe luftëtar i orëve të para të UÇK-së”.