Retorika anti-Trump dhe manipulimi politik në Kosovë

Shkruan: Bekim Çollaku

Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat të ri në Kosovë. Të nxitur nga partia në pushtet, disa zëra qëllimshëm po përpiqen të ngrenë alarmin duke nxitur frikë se marrëdhëniet Kosovë-SHBA mund të përkeqësohen pas fitores së presidentit Trump.

Përkrahësit e Kryeministrit Kurti janë përfshirë në një fushatë propagande, duke përhapur narracione se kinse rikthimi i presidentit Trump dhe ekipit i tij përbën një kërcënim për të ardhmen politike të Kurtit në Kosovë.

Për më tepër, ata e paragjykojnë dhe cilësojnë administratën në ardhje si pro serbe. Si rrjedhojë, sipas logjikës dhe retorikës së tyre, vetëm një qeveri e drejtuar nga partia e Kurtit mund të mbrojë Kosovën nga një qasje e “ashpër” e administratës se re amerikane. Kjo retorikë nuk përkon askund me të vërtetën.

Për më tepër, kjo qasje manipuluese mund të sjellë vetëm dëm për Kosovën, duke nxitur përçarjen e marrëdhënieve edhe ashtu të brishta të qeverisë aktuale të Kosovës me SHBA-në, me shtetin kyç për stabilitetin dhe sigurinë tonë dhe të rajonit.

Pra, kjo retorikë ka për qëllim të manipulojë elektoratin kosovar për t’i dhënë mbështetje partisë në pushtet, pa u brengosur se kjo mund të thellojë hendekun midis Kosovës dhe SHBA-së.

Ndërkohë që procesi elektoral i Kosovës po afrohet – zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë parashikuar për 9 shkurt 2025 – fushata propagandistike e partisë në pushtet po përqendrohet gjithnjë e më shumë në frikësimin dhe manipulimin e votuesve.

Duke e paraqitur fitoren e presidentit Trump si një kërcënim për Kosovën, përkrahësit e Kurtit synojnë të krijojnë ndjesinë e pasigurisë dhe të mbajnë një elektorat të lidhur emocionalisht me partinë në pushtet.

Ky është një manipulim që vetëm e ndan më tej popullin e Kosovës dhe e distancon atë nga demokracia e vërtetë.

Politika e frikës është një qasje e gabuar, pasi nuk fokusohet në përmbushjen e interesave shtetërore të Kosovës, por në interesat e ngushta partiake. Partia në pushtet po ripërsërit narrativen e njëjtë të mashtrimit dhe viktimizimit, njësoj sikur para katër vitesh.

Atëherë, njësoj sikur sot, ata akuzonin administratën e presidentit Trump dhe në veçanti të dërguarin e tij special ambasadorin Richard Grenell, kinse për ndërhyrje dhe rrëzimin e Kurtit nga pushteti. Një qasje e tillë ishte manipuluese atëherë ashtu siç është edhe sot. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk duhet të bien pre e këtij manipulimi përsëri.

Ky manipulim politik mund të ketë pasoja të rënda në planin afatgjatë. Duke ushqyer ndjenjat antiamerikane brenda shoqërisë kosovare, partia në pushtet po ndërton një narrativë që nuk është në përputhje me interesat e vendit. Ndërsa SHBA-ja ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i Kosovës, përpjekjet për të krijuar përçarje mes dy vendeve mund të dëmtojnë seriozisht pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, dhe të pengojnë rrugëtimin e saj drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Fitorja e Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane nuk paraqet kërcënim për Kosovën. Përkundrazi, administrata e re mund të sjell mundësi pozitive të reja. Fundja, administratat amerikane, pavarësisht individëve që i kanë udhëhequr, kanë mbajtur një qëndrim të qartë për mbështetjen e Kosovës.

Megjithatë, është e vërtetë se administrata Trump, në mandatin e saj të parë, ishte më pragmatike dhe synonte rezultate konkrete përmes diplomacisë ekonomike dhe marrëveshjeve të ndërsjella.

Marrëveshja e Uashingtonit, e arritur në vitin 2020 midis Kosovës dhe Serbisë, ishte një shembull i përpjekjeve për të krijuar paqe dhe stabilitet përmes nxitjes së bashkëpunimit ekonomik.

Në këtë kontekst, është thelbësore që qeveria e ardhshme e Kosovës të ndërtojë marrëdhënie të ngushta dhe pragmatike me administratën e presidentit Trump për të garantuar që Kosova të mos mbetet në një pozitë të pafavorshme ndërkombëtare.

Një qasje e matur dhe strategjike në marrëdhëniet me SHBA-në, është thelbësore për të ruajtur mbështetjen amerikane dhe për të avancuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Kosova aktualisht ndodhet në një pozicion të vështirë ndërkombëtar. Për shkak të qasjes së vet-izolimit dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët kryesorë perëndimorë, ajo është përballur me një izolim të pjesshëm nga proceset ndërkombëtare.

Ky izolim i ka dëmtuar aspiratat për integrim në NATO dhe BE, duke bërë që Kosova të ngecë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në këto organizata. Prandaj, është e domosdoshme që çdo qeveri që do të zgjidhet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 të punojë në mënyrë intensive dhe bashkëpunuese me administratën e re amerikane.

Qeveria dhe populli amerikan mbetet duhet të vazhdoj të mbetet partner kyç për Kosovën. Vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë me SHBA-në, Kosova mund të ketë një shans të vërtetë për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe për të arritur një stabilitet të qëndrueshëm.

Në këtë aspekt, retorika antiamerikane, e nxitur nga interesat e ngushta të partisë në pushtet, mund të jetë vetëm pengesë. Për të dalë

nga izolimi, Kosova duhet të lërë mënjanë politikat populiste dhe të fokusohet në ndërtimin e një diplomacie të fuqishme dhe profesionale.

Për të siguruar që Kosova të dalë nga situata e ndërlikuar ndërkombëtare në të cilën ndodhet, është e domosdoshme që qeveria e ardhshme të vendosë përpara interesin shtetëror mbi interesat partiake.

Bashkëpunimi me SHBA-në nuk duhet të jetë vetëm një çështje e retorikës politike, por një realitet i përditshëm i qeverisë kosovare.

Në vend të përhapjes së frikës dhe propagandës antiamerikane, qeveria duhet të ndërtojë një strategji të bazuar në mirëbesim dhe bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

Është koha që udhëheqësit e Kosovës të kuptojnë se mbështetja amerikane nuk mund të konsiderohet e garantuar. Ajo kërkon punë të vazhdueshme dhe angazhim në ndërtimin e partneriteteve strategjike.

Pa një qasje të tillë, Kosova rrezikon të mbetet e izoluar dhe e margjinalizuar, duke humbur përfundimisht shansin për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.

Kjo kërkon një udhëheqësi të guximshme dhe të mençur, e cila është e gatshme të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të largojë narrativet që rrezikojnë të dëmtojnë interesat e Kosovës.

Në fund të fundit, e ardhmja e Kosovës qëndron në dorën e qytetarëve të saj. Ata duhet të jenë të informuar mirë dhe të jenë të kujdesshëm ndaj manipulimeve dhe retorikës së papërgjegjshme.

Nëse Kosova dëshiron të sigurojë një vend të qartë në skenën ndërkombëtare, qeveria e ardhshme duhet të ndërtojë një diplomaci aktive, duke punuar në krah të aleatëve dhe partnerëve strategjikë, për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme për të gjithë qytetarët e saj.